Kufiri me Malin e Zi, opozita presion Kurtit: E ndërruat me vend pushimesh në det

Çështja e kufirit me Malin e Zi përplasi sërish opozitën dhe qeverinë e Kosovës. Protagonistë ishin deputeti I Partisë Demokratike t ëKosovës, Bekim Haxhiu, dhe kryeministri, Albin Kurti.

“Derisa po vija këtu në Kuvend një qytetar që ishte në protestë me ju tha me iu pyet, a ke heq
dorë nga Qakorri e Zhlebi për një pushimore në deti. Kjo është pyetja e qytetarit se ai tha kam prit që ka me e paditë Malin e Zi për Qakorr e për Zhleb, por po doket që Qakorrin e Zhlebin e dha për një pushimore në deti.”, u shpreh Bekim Haxhiu, deputet i PDK.

“Unë do të bëjë maksimumin që të korrigjoj gjithçka që është bërë padrejtësisht, gabueshëm, e dëmshëm në vitin 2018 kur u pat ratifikuar ajo marrëveshje e cila ia humbi territorin e saj Kosovës.”, theksoi Kurti.

Kryeministri foli edhe për padinë ndaj Malit të Zi.

“Atë që qeveritë e kaluara nuk e kanë bërë për sa i përket krijimit të një regjistri apo regjistrimi të pronave në Mal të Zi dhe në shtetet e tjera, qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht ministria e Drejtësisë ka filluar mbledhjen e të gjitha dokumentacioneve në shtete të ndryshme kur pas një verifikimi të tillë mbi pronësinë do të krijojmë një regjistër për pronat tona në shtete të ndryshme dhe më pastaj do të fillojnë procedurat për vërtetimin e pronësisë.”, tha Kurti.
Përtej përplasjeve, rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, bashkoi si rrallë herë deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës. Me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua në parlament.

“Qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid që do ta ngremë kundër Serbisë. Me dënimin e krimeve përmes rezolutave si kjo që po e miraton Kuvendi i Kosovës, përmes padive si ajo që po e përgatitë qeveria e Kosovës ne do të kontribuojmë që të mos përsëritet më gjenocidi as në Srebrenicë e as në Kosovë.”

Këtë rezolutë e mbështetën të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe, deputetët e së cilës u larguan nga salla në momentin e diskutimit të saj.