Menaxhimi i plazheve, Gërxhani: Administrata u kujtua me vonesë. Zv.ministrja Çuçi: Zgjidhje afatgjatë

Sezoni turistik tashmë ka nisur dhe të gjithë shpresojnë në një sezon të mbarë, pas vitit të vështirë pandemik. Kjo edhe për faktin se turizmi ishte një ndër sektorët që u godit më shumë nga Covid-19. Por si paraqitet ky vit? Cila është oferta jonë turistike? Si janë çmimet? A kanë ndikuar tek turistët disa ngjarje të shëmtuara të kohëve të fundit lidhur me prishjen e rendit dhe sigurisë? Për këtë temë u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në A2 Business.

Në fillim u fol për menaxhimin e plazheve, i cili sipas Kliton Gërxhani, nënkryetar i Shoqatës së Tur Operatorëve, administrata u kujtua vonë pasi u pengua nga zgjedhjet.

“Kemi kërkuar të shtyhej dita e zgjedhjeve kombëtare jashtë sezonit turistik. Është viti i parë që i bëmë zgjedhjet në pranverë. Ne nuk ishim gati për të menaxhuar sezonin turistik, pasi administrata u kujtua me vonesë për menaxhimin e plazheve. Për shkak të keqmenaxhimit të plazheve, ndoshta edhe korrupsionit, u mor një kontroll i centralizuar, kjo do të thotë se gjithçka është e përqendruar në Ministrinë e Turizmit. Në njëfarë mënyrë kjo lëvizje nuk po rezulton për mirë, pasi gjithçka është përqendruar në duart e një institucioni”, u shpreh Gërxhani.

Ndërkohë, zëvendësministrja e Turizmit, Ornela Çuçi, u shpreh se ky është viti i parë që gjithçka është në duart e Ministrisë së Turizmit dhe mund të ketë probleme, por është pozitive për vazhdimësinë.

“Viti ka qenë i vështirë. Edhe vjet, për shkak të protokollit, ne ia dolëm për aq sa mund të bëhej. Këtë vit jemi gati edhe pse ekziston frika për të udhëtuar në të gjithë botën.

Është hera e parë që e gjithë kjo po bëhet nga e-Albania. Është hera e parë që ndodh dhe mund të ketë edhe probleme, por kjo do të sjellë në vazhdimësi një shfrytëzim të plazheve për 5 vjet. Nuk do të ketë më një turbulencë përpara sezonit veror, të gjithë do të dinë se ku e kanë lejen e tyre të shfrytëzimit”, u shpreh Ornela Çuçi, zëvendësministre e Turizmit.