Ozuni: Turizmi në Shqipëri përfitoi pasi u hapëm para Greqisë e Kroacisë

“Jemi shumë larg për të marrë për bazë vitin e kaluar, por edhe vitin 2019 sepse jemi në një vit tranzicioni turistik. Po provojmë t’i rikthehemi trendëve ku ishim. Është një proces që kërkon kohën e vetë nga gjendja ku përfunduam për shkak të pandemisë”.

Kështu e komentoi situatën aktuale të turizmit në vend në A2 Business Ferjolt Ozuni, përfaqësues i industrisë turistike. Megjithatë, ai theksoi se tregu shqiptar përfitoi pak nga rasti që Greqia dhe Kroacia ishin të mbyllura kur Shqipëria u hap për turistët.

Më tej, Ozuni u shpreh se Shqipëria ka pengesa duket qenë se nuk është pjesë e BE, pasi shumë vende vendosin karantinë për shtetasit e tyre kur kthehen nga Shqipëria. Këtu, ai solli rastin e Polonisë.

“Sot, ky trend nuk është më në rritje. Kemi arritur një pikë stabël. Problemi qëndron që nuk jemi vend i BE. Kemi shumë tregje nga të cilat ka pengesa. Javën e kaluar doli lajmi që Polonia kërkon karantinë për ata që kthehen nga Shqipëria. Kemi dhe rastin tjetër kur vende të ndryshme e konsiderojnë Shqipërinë në listë të kuqe”.

Sipas zëvendësministres së Turizmit, Ornela Çuçi, kjo ka ardhur pasi vendet e fuqishme tentojnë të nxisin më tepër turizmin vendas, ti mbajnë të ardhurat në territorin e tyre.