Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Plagoset rëndë gazetari i njohur investigativ holandez

Nga A2 CNN
7 Korrik 2021, 07:31 | Bota
Plagoset rëndë gazetari i njohur investigativ holandez

Gazetari i famshëm holandez Peter R. de Vries, i njohur për raportimet e tij në botën e krimit, po lufton për jetën e tij, pasi u qëllua në një rrugë të Amsterdamit.

Autoritetet holandeze njoftuan se janë arrestuar tre të dyshuar, përfshirë edhe autorin e mundshëm, por nuk dhanë hollësi të tjera për ngjarjen.

"Ai u plagos rëndë dhe po lufton për jetën e tij", tha kryetarja e bashkisë së Amsterdamit, Femke Halsema në një konferencë me gazetarët. "Ai është një hero kombëtar për të gjithë ne. Një gazetar i rrallë, i guximshëm, që pa u lodhur kërkoi drejtësi".

Gazetari De Vries fitoi çmimin ndërkombëtar Emmy në vitin 2008 për punën e tij në hetimin e zhdukjes së adoleshentes amerikane, Natalee Holloway, në Aruba, në vitin 2005.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, e quajti sulmin "tronditës dhe të pakuptueshëm. Ishte një sulm ndaj një gazetari të guximshëm dhe gjithashtu një sulm ndaj shtypit të lirë që është kaq thelbësorë për demokracinë tonë. Ne jemi duke u lutur që ai të mbijetojë", tha ai.

Transmetuesi holandez RTL tha se Peter R. de Vries sapo ishte larguar nga studiot e tij në qendër të Amsterdamit kur u qëllua në kokë.

Gazetari De Vries, 64 vjeç, është i famshëm në Holandë, si komentator i shpeshtë i programeve televizive dhe reporter ekspert i krimit, me burime si në forcat e sundimit të ligjit, ashtu edhe në botën e krimit.

Ai është i njohur në Holandë për punën hetimore në raste të panumërta, veçanërisht pas rrëmbimit në vitin 1983 të manjatit të birrës, Freddy Heineken.

De Vries ishte kërcënuar nga bota e krimit në të kaluarën në lidhje me disa raste.

Në vitin 2013, Willem Holleeder, rrëmbyesi i zotit Heineken, u dënua për kërcënime ndaj gazetarit De Vries. Holleeder aktualisht po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për përfshirje në pesë vrasje.

Ngjarja e së martës nxiti reagimin në shkallë të gjerë të organizatave për mbrojtjen e gazetarëve. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u bëri thirrje autoriteteve holandeze të hetojnë me shpejtësi dhe thellësisht sulmin ndaj gazetarit Peter R. de Vries, të përcaktojnë nëse ai ishte në shënjestër për punën e tij dhe të sigurojnë që sulmuesi dhe organizatorët e sulmit të përballen me drejtësinë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli