Plasa me 2 mijë banorë vuan për ujë të pijshëm, nuk ka as për vaditje

Nëse shumica e njerëzve gjatë periudhës së verës janë në kërkim të vendeve dhe ofertave për të kaluar pushimet, rreth 2 mijë banorët e fshatit Plasë në bashkinë e Maliqit, janë në kërkim të mundësive për të siguruar ujin e pijshëm.

 Ndër vite, kërkesave të tyre për të shuar etjen, autoritetet u janë përgjigjur me premtime, por realiteti në çezmat e tyre, tregon të kundërtën e premtimeve boshe.

 “Si ka qenë qëmoti ashtu është situata. Kemi rezervuar. Problematika qëndron tek uji i pijshëm, është me orar dhe është i turbulluar kur bie shi. Ia kemi kërkuar kryetarit të bashkisë, na është premtuar që do të ndërtohet rrjeti i brendshëm, por deri tani nuk ka asgjë”, thonë banorët.  

Shumica e fshatarëve merren me bujqësi për të mbajtur familjet, por edhe uji për vaditje mungon në këtë fshat.

E teksa të zgjedhurit lokalë e qendrorë zotohen vit pas viti për ujë të pijshëm, këta banorë do vijojnë të kërkojnë për burime malore që të mbushin pak ujë dhe të shuajnë etjen.