Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Të besuarit e Ramës, kryeministri “lan duart” sapo afrohen prangat

Nga A2 CNN
7 Korrik 2021, 11:30 | Politikë
Të besuarit e Ramës, kryeministri “lan duart” sapo afrohen

Fatos Tushe është i fundit në radhët e gjata të njerëzve të besuar të Edi Ramës që përballen me drejtësinë, të cilët, në momentin vendimtar, janë braktisur nga kryeministri që rregullisht shkarkon çdo përgjegjësi.

Rasti më i bujshëm është ai i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u përball me akuzat e ngritura nga Prokuroria për grup të strukturuar kriminal, pasi emri i tij u lakua në përgjimet e dosjes së Habilajve në Itali, si të përfshirë në trafikun e drogës. 

Fillimisht, socialistët i dolën në krah Tahirit, duke mos dhënë leje për arrestimin e tij, por pas presionit në rritje, Tahiri u vetëtërhoq nga politika për t’u përballur me drejtësinë. Ish-ministri u dënua me 3 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës. 

Një tjetër i besuar i Ramës, i dënuar nga gjykata, është edhe ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku. 

Mandatin që fitoi në zgjedhjet e vitit 2019, Kajmaku nuk mundi ta gëzojë më shumë se dy muaj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin kryebashkiakut socialist të Vorës pasi kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Prokuroria nxori një urdhërarresti për Kajmakun, i cili pas disa muajsh në arrati u arrestua kur po merrte trajtim shëndetësor pranë një spitali privat. Kajmaku u la në arrest shtëpie, për shkak të gjendjes shëndetësore. 

Një tjetër bashkëpuntor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, i dënuar nga gjykata është dhe Elvis Roshi. Pas 5 vitesh në drejtim të Bashkisë së Kavajës, në 2016, një dëshmi penaliteti nga shteti italian zbuloi se Elvis Roshi ishte dënuar për përdhunim në vendin fqinj. Roshi u justifikua se nuk ishte në dijeni, por Gjykata e Tiranës e gjeti fajtor për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Roshi i shpëtoi burgut, pasi dënimi iu konvertua në shërbim komunitar. 

Tjetër socialist nën lupën e Prokurorisë është Vangjush Dako. Ish-kryebashkiaku i Durrësit është nën hetim për veprimtarinë e tij, ndërkohë që u shpall non-grata nga SHBA-ja. Dako ishte personazh kryesor në skandalin e përgjimet e Bild, mbi shitblerjen e votave në Qarkun e Durrësit gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Të gjithë kanë qenë pjesë e njerëzve më të besuar të Edi Ramës, që sapo afrohen prangat ngre duart dhe nuk pranon përgjegjësi për veprimet e bashkëpunëtorëve të tij.

A2 CNN Livestream

Dita jonë