4-vjeçari i parlamentit, Dervishi: Dha mësime të mëdha, por me kosto të lartë, deputetë groteskë

“U mbyll një sesion ku patëm deputetë, të cilët në njëfarë mënyre, do të jenë të paarritshëm në groteskun e tyre, për faktin që ishin në parlament vetëm për interesa të ngushta personale dhe faktin që patëm një parlament që dha mësime të mëdha, por me një kosto shumë të madhe”.

Kështu u shpreh në Absolut 4 analisti Lutfi Dervishi ndërsa komentoi legjislaturën e sapo mbyllur parlamentare.

Dervishi rendit më tej edhe problemet e tjera të këtij parlamenti, teksa thekson se nëse opozita nuk do të kishte djegur mandatet, atëherë edhe mazhoranca do ta kishte të vështirë të fitonte më 25 prill.

“Kur shikon cilësinë parlamentare, sidomos të listës fundore të opozitës, kupton se me sa seriozitet janë trajtuar ato lista. Kur sheh cilësinë e një pjese të mirë të listës zëvendësuese, kupton se çfarë dëmi i madh është në demokraci lënia e vendeve bosh dhe plotësimi i tyre nga kloun të papërgjegjshëm, ndoshta ndonjëri edhe me probleme mendore.

Parlamenti është vendi ku bëhet debati i madh politik, është vendi ku do të duhet të ishte skanimi i qeverisë, është vendi ku duhet të kontrolloheshin institucionet kushtetuese të pavarura. Në njëfarë mënyrë, është një parlament i kthyer në noter, ku e ashtuquajtura opozitë që zëvendësojë i ngjante atyre gjarpërinjve, ku mjafton që t’i bjerë fyellit dikush dhe të fillojnë të bëjnë vallen sipas melodisë.

Përveç kësaj, është edhe fakti që është një parlament që nisi dy herë inicimin për të shkarkuar kryetarin e shtetit. Ishte një parlament që na tregoi se vendi kryesor i një opozite duhet të jetë në kuvend dhe jo jashtë tij. Është një parlament ku për shkak të vendimit të opozitës për të dalë nga parlamenti arriti që të votojë një numër të rëndësishëm ligjesh me shumicë të cilësuar sepse i kishte votat, arriti të ndryshojë dhe kushtetutën. Nëse nuk do të ishte kjo situatë, shumica e sotme do ta kishte shumë të vështirë përballjen në 25 prill në qoftë se nuk do të ndryshonte Kodin Zgjedhor”, u shpreh Dervishi.