“Absolut 4”: Parlament i “djegur”

vlcsnap 2021 07 08 23h01m31s763 1100x620

4-vjeçari i parlamentit, Dervishi: Dha mësime të mëdha, por me kosto të lartë, deputetë groteskë

“U mbyll një sesion ku patëm deputetë, të cilët në njëfarë mënyre, do të jenë të paarritshëm në groteskun e tyre, për faktin që ishin në parlament vetëm për interesa të ngushta personale dhe faktin që patëm një parlament që dha mësime të mëdha, por me një kosto shumë të madhe”.

Kështu u shpreh në Absolut 4 analisti Lutfi Dervishi ndërsa komentoi legjislaturën e sapo mbyllur parlamentare.

Dervishi rendit më tej edhe problemet e tjera të këtij parlamenti, teksa thekson se nëse opozita nuk do të kishte djegur mandatet, atëherë edhe mazhoranca do ta kishte të vështirë të fitonte më 25 prill.

“Kur shikon cilësinë parlamentare, sidomos të listës fundore të opozitës, kupton se me sa seriozitet janë trajtuar ato lista. Kur sheh cilësinë e një pjese të mirë të listës zëvendësuese, kupton se çfarë dëmi i madh është në demokraci lënia e vendeve bosh dhe plotësimi i tyre nga kloun të papërgjegjshëm, ndoshta ndonjëri edhe me probleme mendore.

Parlamenti është vendi ku bëhet debati i madh politik, është vendi ku do të duhet të ishte skanimi i qeverisë, është vendi ku duhet të kontrolloheshin institucionet kushtetuese të pavarura. Në njëfarë mënyrë, është një parlament i kthyer në noter, ku e ashtuquajtura opozitë që zëvendësojë i ngjante atyre gjarpërinjve, ku mjafton që t’i bjerë fyellit dikush dhe të fillojnë të bëjnë vallen sipas melodisë.

Përveç kësaj, është edhe fakti që është një parlament që nisi dy herë inicimin për të shkarkuar kryetarin e shtetit. Ishte një parlament që na tregoi se vendi kryesor i një opozite duhet të jetë në kuvend dhe jo jashtë tij. Është një parlament ku për shkak të vendimit të opozitës për të dalë nga parlamenti arriti që të votojë një numër të rëndësishëm ligjesh me shumicë të cilësuar sepse i kishte votat, arriti të ndryshojë dhe kushtetutën. Nëse nuk do të ishte kjo situatë, shumica e sotme do ta kishte shumë të vështirë përballjen në 25 prill në qoftë se nuk do të ndryshonte Kodin Zgjedhor”, u shpreh Dervishi.

Krasniqi në Absolut 4: Njeriu që votoi më pak ligje në Kuvend ishte kryeministri

Analisti Afrim Krasniqi ishte i ftuar në emisionin Absolut 4, temë e të cilit ishte mbyllja e punimeve të parlamentit, i cili pritet të rikthehet në shtator me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prilli.

Krasniqi bëri një rezyme të parlamenti të fundit që sipas tij ishte më uniku në historinë e tranzicionit, duke renditur si shkaqe bojkotin e opozitës, deputetët që i zëvendësuan dhe vijimin e punimeve edhe pse në Shqipëri ishin zhvilluar zgjedhjet.

“Ky parlament ka shënuar disa veçori unike në historinë e tranzicionit. E para dihet është rasti i bojkotit dhe i dorëzimit të mandateve. Ishte unike, e gabuar, e dëmshme, jo për opozitën, por për Shqipërinë.

Së dyti, ky është parlamenti i vetëm që në dijeninë time dhe në historinë e Europës që e vazhdon mandatin edhe pasi kanë mbaruar zgjedhjet dhe i kanë humbur zgjedhjet dhe këta deputetë vazhdojnë dhe marrin vendime të rëndësishme përfshirë ajo e presidentit.

Së treti, është parlamenti i parë dhe i vetmi në Europë që njeriu që ka votuar më pak ligje në Kuvend është kryeministri. Ky është parlamenti i parë që ndryshoi Kushtetutën online. Ata që ishin në Kuvend nuk ishin opozitë parlamentare, por prurje të rastësishme”, u shpreh Krasniqi.

Shano: Ky parlament bëri atë që “i deshi qejfi” mazhorancës

Analisti Dritan Shano pohoi në “Absolut 4” se parlamenti ka bërë nga fillimi deri në fund, atë që ka dashur. Sipas tij, vendimi për daljen e opozitës nga Kuvendi ishtë një vendim unanim por që nuk rezultoi i suksesshëm sepse këputja me mandatet ndodhi, por nuk ndodhi me aktorët dhe me mënyrën e të bërit politikë.

“Ky parlament bëri atë që i deshi qejfi mazhorancës, nga dita e parë deri ditën e fundit, pavarësisht se çfarë ndodhi në midis. Ai filloi si parlament guerrilësh, vazhdoi mandej si një parlament me personazhe nga komeditë e Molierit dhe arriti derisa të shkarkojë kryetarin e shtetit.

Opozita doli nga Parlamenti. Unë jam një nga njerëzit që kam mbështetur daljen e opozitës nga Parlamenti. Atje brenda Basha kishte të drejtë kur tha pati një vendim unanim. Tentativa për ta këputur atë sjellje violente të mazhorancës nuk rezultoi e suksesshme sepse këputja me mandatet ndodhi, por nuk ndodhi me aktorët, me mënyrën e të bërit politikë që është sot e kësaj dite po e njëjta. Ky parlament demonstroi edhe papërgjegjshmërinë totale ndaj qytetarit në hartimin e listës sa i përket cilësisë së përfaqësimit që duhet çuar në Parlament nga partitë politike.”, u shpreh Shano.

“Vendi më i varfër në Europë ka paguar 3 milionë euro kompensim për deputetë që shkojnë e vijnë”

“Po i them sot qytetarëve shqiptare, ne jemi sot vendi më i varfër në Europë, duke hequr Moldavinë që rastësisht është Europë dhe vendi më i varfër në Europë ka paguar deri tani rreth 3 milionë euro kompensim për deputetë që shkojnë dhe vijnë. Ne do të paguajmë edhe rreth 1 milion euro për këta që i patëm deputetë tani, pasi do të marrin 2-3 trajtim parlamentar, edhe pension suplementar. Është një kosto e jashtëzakonshme në vendin më të varfër të Europës. Këta njerëz, me një të rënë të lapsit, e quajnë ngjarje historike kapjen e një kryetari bashkie që doli nga përgjigjet se i paska dhënë karburant falas çunit dhe nuk merren me 3-4 milionë euro që me një firmë dhe me shkatërrimin e konceptit të parlamentit”.

Kështu u shpreh në Absolut 4 analisti i A2 Afrim Krasniqi teksa u diskutua për legjislaturën e fundit dhe zëvendësimin e deputetëve.

Më tej, Krasniqi u shpreh se nëse parlamenti ka prekur fundin, partitë politike kanë prekur fundin dhe vizioni i liderëve politikë ka prekur fundin.

“Nuk e shoh si një çështje të shkëputur, nuk e shoh si një çështje 2-3 mujore të opozitës apo të mazhorancës, por e shoh si pellg ku ka shkuar politika dhe opozita u ndje mirë brenda këtij pellgu dhe nuk arriti të mund palën tjetër, duke qenë se të dyja palët ishin në të njëjtin pellg”, u shpreh Afrim Krasniqi.

Shano tregon në Absolut 4 se ku gaboi opozita pas djegies së mandateve

Analisti Dritan Shano ka rreshtuar disa nga gabimet që bëri opozita pas djegies së mandateve. Sipas tij, fakti që opozita risolli propozimet e vjetra dhe bashkëpunoi me LSI-në, i dha Ramës mundësinë ta mbushte Parlamentin me deputetë në bllok.

“Njerëzit nuk e ndoqën PD nga mbrapa, për shumë arsye. Ti kur tenton këputjen nuk mund të vazhdosh të ripropozosh të shkuarën tënde, duhet të kesh propozimin e ri. Kjo gjë nuk ndodhi. Në elektorat pati edhe një konfuzion sepse elektorati i djathtë asnjëherë nuk e ka pranuar flirtimin me LSI.

Kujtoj ditën e dorëzimit të mandateve, anëtarët e degës time kur dolën deputët e LSI-së që thoshin unë dorëzoj mandatin, kthyen kurrizin. Këto ishin “miscalculations” të bëra nga lidershipi, të cilave nuk iu gjet ilaçi dhe që krijoi atë boshllëk të madh institucional që Rama e mbushi me deputetë në bllok.”, u shpreh Shano.

Parlamenti i ri, Shano: Opozita të rifitojë pjesëmarrjen e humbur në reformën në drejtësi

Analisti Dritan Shano shprehu në Absolut 4 opinionin e tij se çfarë mund të bëjë opozita me nisjen e parlamentit të ri në muajin shtator.

Sipas Shanos, opozita duhet të rifitojë pjesëmarrjen e humbur të saj në reformën në drejtësi si dhe të japë kontributin e saj pa kushte në procesin e integrimit.

“Opozita duhet të korrigjojë atë që nuk e di përse e humbi, pjesëmarrjen në reformën në drejtësi. Reformën në drejtësi e ka penguar Edi Rama, nuk e ka penguar opozita aman në kulturën popullore duket sikur Edi Rama e ka çuar përpara. Opozita duhet të marrë përsipër ta korrigjojë këtë gjë dhe të gjejë aktorët dhe folësit e duhur.

Sepse t’i ke nevojë për një sistem drejtësie që të sjellë shtetin e së drejtës. Ne kemi një nevojë për të bashkëpunuar për proceset e integrimit. Ne kemi problemet tona. Kemi probleme me ligjin, si trajtojmë financat. Këtu opozita mund të japë bashkëpunimin pa kushte. Rama nuk ka asnjë program. Këtë herë kam dëgjuar 2-3 copëza që i ka shprehur në një media italiane, ku është shprehur se do të merret me arsimin. Nuk e di përse nuk e thotë në Shqipëri këtë gjë. Por nuk e di sa serioz do të jetë në mbajtjen e kësaj fjale”, Shano.

“Qytetarët nuk kanë besim te Policia e Shtetit”, Dervishi: 14 persona në Shqipëri bëjnë rokadë me njëri-tjetrin

Analisti Lutfi Dervishi komentoi në Absolut 4 deklaratat e kryeministrit Rama në lidhje me situatën e kriminalitetit në vend, por edhe në lidhje me lëvizjet në Policinë e Shtetit.

Dervishi u shpreh se ngjarjet e rënda janë shumë domethënëse dhe se aktualisht e vetmja gjë që nuk gëzon policia është besimi i publikut.

“Është reflektim, realiteti është kokëfortë. Ngjarjet e rëndë që kanë ndodhur janë shumë sinjifikative. Thuhet se policia gëzon besimin e publikut, por sot e vetmja gjë që nuk gëzon policia është besimi i publikut. Nëse drejtuesit e policisë kapen duke gënjyer, nëse bie besimi i publikut te policia nuk mund të kesh sukses. Rendi nuk mbahet nga policia, por mbahet nga publiku. Këtë nuk po e adresojnë dot, nuk po e kuptojnë dot. Janë 14 persona në Shqipëri, të cilët bëjnë rokadë me njëri-tjetrin dhe pavarësisht problemeve të qyteteve lëvizin në mënyrë paralele”, u shpreh Dervishi.

Krasniqi: Mazhoranca ka shumë për t’i ofruar opozitës, zgjedhjen e presidentit dhe zgjedhjet lokale

Analisti Afrim Krasniqi tregoi në Absolut 4 se për kreun e qeverisë ky është më së shumti një mandat personal dhe shtoi se mazhoranca ka shumë për ti ofruar opozitës, si zgjedhja e presidentit dhe zgjedhjet lokale të parakoshme.

“Mandati i tretë i zotit Rama dallon nga dy mandatet e para. Mandati i tretë është mandat personal. Atij nuk i duhet PS, dhe nuk e ka problem fare të shkarkojë kryebashkiakun e Lushnjes, apo nuk e ka problem t’i thotë popullit se administrata është e paaftë ose ti thotë dr policia është e paaftë. Çdo njeri në këtë vend mund t’ë jetë i paaftë, për të krijuar idenë se e vetmja shpresë e këtij vendi është kolltuku, makina, persona, adresa dhe Surreli ku ai ndodhet.

Unë e shoh si pjesë të presionit ndaj figurave kryesore të PS, në mënyrë që kur të bëjë selektimin e ministrave të rinj në shtator, të ketë lirinë e plotë të heqë dhe të vendosë këdo. Nga ana tjetër ai ka më shumë interes të bëjë kompromis me opozitën se me ndonjë qejfmbetur në PS. Në lidhje me këto ligjet, përveç paketës anti-shpifje, një sërë nismash të tjera nuk mendoj se janë tërhequr për shkak të Brukselit po për shkak se kanë ndërruar mendje oligarkët që financojnë dhe i kanë mbyllur interesat.

Në lidhje me raportin e ri me opozitën, mazhoranca ka shumë për ti ofruar opozitës, dy gjëra në interes, zgjedhjen e presidentit dhe zgjedhjet lokale të parakohëshme. Dy nevoja jetike të opozitës”, u shpreh Krasniqi.