Armela Krasniqi në krye të AMA-s, reagon PD: Kërcënim për lirinë e medias, SPAK të hetojë

vokshi 6 1100x620

Emërimi i Armela Krasniqit në krye të AMA-s ka sjellë reagime të forta nga selia blu. Në një deklaratë për mediat Albana Vokshi e cilëson emërimin e saj skandaloz dhe kundër lirisë së fjalës, si edhe në kundërshtim me deklaratat e BE dhe OSBE. Sipas saj, ky vendim përbën një kërcënim për lirinë dhe pavarësinë e medias.

“Parlamenti ilegjitim i vuri dje vulën e regjimit antidemokratik me emërimin skandaloz të zëdhënëses së Edi Ramës në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive. Një militante në drejtimin e Autoritetit që ka në dorë licensat dhe gjobat ndaj televizioneve, përbën një kërcënim serioz për lirinë dhe pavarësinë e medias. Në detyrën e drejtueses së Agjencisë Telegrafike Shqiptare, militantja e Edi Ramës e shndërroi këtë institucion publik, që mbahet me taksat e shqiptarëve, në një shtojcë të propagandës së qeverisë dhe Partisë Socialiste”.

Vokshi deklaroi se PD-ja ka bërë kallëzim penal në SPAK për Krasniqin dhe i kërkon këtij institucioni që të mos heshtë, por të hetojë.

 “Për këtë arsye, gjatë fushatës zgjedhore, Partia Demokratike ka bërë kallëzim penal në SPAK për “shpërdorim të detyrës” dhe “Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike e zgjedhore”.

Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të mos heshtë për këtë rast. Të nxjerrë dosjen nga sirtari, ku qëndron prej gati 4 muajsh, dhe ta hetojë militanten e Edi Ramës! Ky do të jetë një kontribut real jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për lirinë e medias, duke e çliruar Autoritetin e Medias Audiovizive nga militantët e paaftë dhe kamikazë të kryeministrit”.