Bayern, Nagelsmann i prezantohet lojtarëve me video në WhatsApp

nagelsmann 600x338

Bayern Munchen nisi dje zyrtarisht sezonin e ri. Julian Nagelsmann, trajneri më i ri në historinë e klubit, drejtoi seancën e parë stërvitore të ekipit gjerman.

Interesant është fakti që 33-vjeçari është më i ri se kapiteni i Bayern, Manuel Neuer (35 vjeç). Për këtë arsye, Nagelsmann iu prezantua lojtarëve të cilët janë me pushime pas Evropianit me një video në WhatsApp, ku ka treguar maksimumin e përulësisë.

“Përshëndetje! Për ata që nuk më njohin dhe nuk e dinë se kush jam unë, unë jam Julian Nagelsmann, trajneri juaj i ri”, ka thënë Nagelsmann në video.

Sipas burimeve të medias gjermane, në këtë video trajneri u ka bërë me dije lojtarëve që kërkon të luajë me një formacion me 3 mbrojtës dhe se objektivi kryesor është fitimi i titullit kampion për herë të 10-të radhazi.

Në konferencën e parë për shtyp, Nagelsmann u shpreh: “Jam i bindur që kam marrë vendimin e duhur. Me klubin do të flas shpesh për merkaton, por fjalën e fundit e ka gjithmonë klubi, pasi janë paratë e klubit. Kam firmosur për 5 sezone, pasi po të ishte vetëm për një sezon, nuk vija fare. Dua të ndërtoj diçka te Bayern”.