Bllokoi tregtinë botërore për 6 ditë, Ever Given niset drejt Holandës

ever given 1100x620

Për 6 ditë me radhë, në mars, bllokoi kanalin e Suezit në Egjipt, duke paralizuar tregtinë ndërkombëtare. Tashmë, pas më shumë se 100 ditësh, “Ever Given” mund të drejtohet sërish drejt portit që kishte nga fillimi si destinacion, atë të Rotterdamit, në Holandë.

Autoritetet e kanalit fillimisht mbajtën “peng” mjetin lundrues gjigant, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 900 milionë dollarë. Por mesa duket, beteja ligjore mes egjiptianëve dhe kompanisë që zotëron anijet, japonezët e Shoei Kisen Kaisha, është zgjidhur tashmë, edhe pse shifrat nuk bëhen të ditura zyrtarisht.

Anijes do t’i duhen rreth dy javë që të arrijë në portin e madh europian, sepse për arsye sigurie do të lundrojë me një shpejtësi të kufizuar.

Në Rotterdam, janë të shumtë ato që po e presin me padurim. Sipas të dhënave, Ever Given mban aktualisht rreth 18.300 kontejnerë, të mbushur me materiale kryesisht të destinuara për kompani gjigante si IKEA dhe Lenovo, me një vlerë të përgjithshme që kalon 600 milionë dollarët.

Kompani të tilla e kanë ndjerë relativisht mungesën e materialeve, por të tjera, me të vogla, janë detyruar të ndërpresin prodhimin për shkak të mungesës së disa elementeve të domosdoshme.