Detaje nga dosja për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, punimet nuk u kryen nga kompania fituese e tenderit

fatos tushe 1 1100x620

Nga hetimet e kryera për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, që çuan në arrestimin e tij dhe 10 zyrtarëve të tjerë të institucionit që ai drejtonte, Prokuroria e Posaçme dyshon se e gjithë oferta e firmës Euro Alb shpk me përfaqësues shtetasin Bujar Murati, është kryer në mënyrë fiktive.

Sipas SPAK, në fakt punimet nuk janë kryer prej kompanisë Euro Alb, si kompania fituese e prokurimit, dhe me të cilën janë lidhur kontratat, por ato janë kryer nga shtetasi Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk.

Sipas akuzës, ngrihet dyshimi i arsyeshëm se Lami do të realizojë edhe përfitimin e paligjshëm duke fituar të ardhurat e zbatimit të prokurimit publik, në kundërshtim me ligjin.

Nga hetimet ka rezultuar se Lami komunikonte me Flamur Peqinin, drejtor i ndërmarrjes së pasurisë publike – pjesë e personave të arrestuar – duke marrë të dhëna lidhur me ankesat e depozituara nga operatorët e skualifikuar, si dhe në lidhje me vendimmarrjen për rrëzimin e kërkesave.

Sipas SPAK, të gjitha këto në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe me ushtrimin e rregullt të detyrës. “Në një nga bisedat midis Ibrahimit dhe Flamurit, të zhvilluar me date 26.12.2020 në ora 10:15:16 AM Flamuri i thotë se “do hedhim prapë vitin tjetër tenderë”, pastaj i thotë që “këto porositë t’i bëj gati unë, ç’ka nënkupton interesin për ta favorizuar shtetasin Ibrahim Lami”, thuhet në një pjesë të dosjes.