“Hidhi atyre me tre tetat, është çuni i shefit”… zbulohet abuzimi edhe me karburantin në dosjen e Fatos Tushes

Fatos Tushe 1100x620

Në hetimet për abuzimet me prokurimet publike, është zbuluar edhe një skemë abuzimi me furnizimin me karburant. Sipas akuzës, Flamur Peqini me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë, në vazhdimësi komunikon me persona të ndryshëm punonjës të një pike karburanti ku me porosi të tij furnizohen me karburant automjete të ndryshme.

Dyshohet se Peqini, i udhëzuar edhe kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe, përveç furnizimit të automjeteve të institucionit ku punon, furnizon dhe automjete të tjera që nuk janë pjese e institucionit, por i furnizon nga limiti i karburantit të destinuar për t’u përdorur për nevoja pune, duke shpërdoruar detyrën e tij. Një prej këtyre automjeteve dyshohet të jetë edhe ai i djalit të Ibrahim Lamit, administrator i kompanisë Loti shpk, i arrestuar pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i kanalizimeve.

Në datë 05.08.2020, në orën 12:45, Tushe telefonon Peqinin: “O Mule thuaj i çik atij t’u hedhë çunave me tre tetat…”

Pas kësaj telefonate, Peqini telefonon punonjësin e pikës së karburantit dhe i thotë: “Po vjen një makinë tjetër aty”.

Në orën 13:00, Flamuri telefonon në pikën e karburantit dhe i thotë: “Hidhi asaj me tre teta o burrë i dheut… Shpejto tani direkt, ajo më, ke parasysh, është çuni i shefit”.

Para kësaj telefonate, Fatos Tushe ka telefonuar Peqinin dhe i thotë: “Janë çunat aty Mule, nuk i the gjë atij”

Në një tjetër bisedë telefonike 6 minuta më vonë, punonjësi i pikës së karburantit i thotë Peqinit se i ka hedhur makinës 85 litra karburant. Ndërsa një makine tjetër 83 litra.

Në dosjen e SPAK, një pjesë të së cilës A2 ka lexuar, në lidhje me shpërdorimin e karburantit, është dokumentuar edhe episodi i furnizimit me karburant të shtetasit i identifikuar si F.F., i cili më datë 28.07.2020 rreth orës 10:39 telefonon kryetarin e Bashkisë Fatos Tushe, dhe i thotë që nesër në mëngjes do iki për pushime dhe do futet në Lushnjë nga ora 07:30. Tushe thotë që do të nxjerrë drejtorin e burimeve njerëzore, pasi vetë do të jetë në Karaburun.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se Ndërmarrja e Pasurisë Publike Lushnje, në datë 30.04.2020, ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik “Nushi” shpk me objekt “Blerje gazoil për Ndërmarrjen e Pasurisë Publike, pastrimin e kanaleve kullues dhe benzinë për motorët, marrëveshje kuadër-vetëm me një operator ekonomik me afat 12 muaj”, me fond limit 22.778.285 lekë.