Kostot e fiskalizimit, biznesi i vogël kërkon rimbursim dhe shtyrje të procesit

Bizneset e vogla dhe të mesme i kanë kërkuar qeverisë të shtyjë më tej afatet e fiskalizimit dhe të rimbursojë kostot e tij.

Sipas argumentimit të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, shumë subjekte janë në gjendje të vështirë ekonomike, ndërsa procesi do të jetë i vështirë për t’u mësuar veçanërisht nga bizneset familjare.

“Gjëja më e rëndësishme që kemi kërkuar ne si biznes i vogël është rimbursimi i të gjithë kësaj kostos. Në treg kanë hyrë shumë kompani dhe kjo është diçka e mirë pasi e rrit konkurrencën, por sado të shkojë kostoja, për biznesin e vogël kjo kosto duhet të rimbursohet. Kjo shoqatë në vitin 2010 e detyroi qeverinë e mëparshme që të kthejë pas lekët e kasave”, u shpreh Shpëtim Agolli, përfaqësues i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm.