Ndërtimet pa leje, 487 objekte të shembura gjatë 2020, 2.5 mln euro gjoba

Në Shqipëri vijon të ndërtohet pa leje, ndonëse planet e shumta urbanistike nuk mungojnë. Kësisoj, vetëm gjatë vitit të shkuar, në gjithë vendin u prishën 487 objekte, 171 prej të cilave ishin të kundërligjshme.

Sipas raportit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, pas 6148 inspektime të kryera në terren, u aplikuan gjoba dhe kamat-vonesa në vlerën e rreth 2.5 milionë eurove ndaj shkelësve.

Të dhënat nga IKMT tregojnë se në tre vitet e fundit janë shembur 2016 objekte pa leje, pjesa më e madhe në zona urbane dhe ato bregdetare.

Nën akuzën e ndërtimit të paligjshëm gjatë vitit të shkuar u dënuan me masën e sigurisë “Arrest me burg” 730 persona nga 648 në vitin 2019. Më shumë se 3300 persona janë burgosur në 6 vitet e fundit për ndërtimet e kundërligjshme.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, numri i procedimeve për këtë vepër penale është shumëfish më e lartë. Në harkun kohor 2016-2020, më shumë se 7500 persona janë proceduar penalisht  (grafik procedime penale).

Ndonëse pushteti qendror dhe ai vendor, në intervale të ndryshme kohore kanë ndërmarrë aksione si për sensibilizimin po ashtu edhe për prishjen e objekteve pa leje, fenomeni vijon të mbetet prezent, më së shumti i theksuar në zonat urbane dhe ato bregdetare.