Ndryshimet në polici, PD: Reformim i klanit të sekserëve të Ardi Veliut

alibeaj 1 600x338

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ironizoi me kryeministrin Edi Rama, i cili sot i dha 100 ditë afat policisë për reformim.

“Shqiptarët dëgjuan sot kryeministrin në rolin e shejtanbudallait,  që pas 2 mijë e 920 ditësh, pra 8 vitesh, në një pushtet të fituar me mbështetjen e krimit dhe që e ushtron në mbështetje të krimit, t’u japë 100 ditë afat drejtuesve të policisë për të gjetur të infiltruarit në rreshtat e forcave të rendit. Shqiptarët dëgjuan themeluesin e modelit të bashkëpunimit me krimin, atë që futi njerëz me rekorde kriminale në parlament, bashki dhe administratë, të zgjohet një ditë vere dhe të flasë për bashkëpunim të policisë me krimin. Fatkeqësisht kjo nuk është shaka, madje kjo nuk mund të quhet më as hipokrizi, kjo është një lojë për t’u hedhur hi syve të qytetarëve, që vuajnë modelin e krijuar nga Edi Rama, atë të bashkëqeverisjes me krimin”, tha Alibeaj.

“Shqiptarët e dinë që policia e drejtuar nga ushtarët e Edi Ramës nuk u shërben atyre, por interesave të oligarkëve, kur forcat e rendit përdoren për të hedhur gaz lotësjellës për të nxjerrë fëmijë 5-vjeçarë nga shtëpitë e tyre për të mbrojtur grabitjen e pronës nga mafia e ndërtimit, apo për të shembur në mënyrë barbare dhe antikushtetuese Teatrin Kombëtar. Shqiptarët e kanë të qartë se asnjë punojnës i ndershëm i policisë nuk vepron dot kundër krimit, kundër të fortëve, për sa kohë ata janë ortakë të pushtetit. Prandaj nëse Rama kërkon të infiltruarit në Policinë e Shtetit, le të fillojë të pyesë veten për ata që mblodhi rreth vetes në atë sallë. Duke nisur nga Ardi Veliu, që jo më larg se 3 muaj më parë, mashtroi shqiptarët për të mbuluar lidhjet e Ramës me kriminelët që blenë vota për të në Elbasan. Gjovalin Loka, i shkarkuar nga Drejtor i Rendit Publik pasi ka nxjerrë të dhëna për llogari të një grupi kriminal në veri, që është përfshirë në kanabzimin e Shkodrës dhe Lezhës, i përfshirë gjithashtu në procesin zgjedhor në Elbasan. Edmond Traga, i emëruar në Berat, një nga zonat më të begata për kultivimin e hashashit, që shkon aty me eksperiencën me të cilën lejoi kanabizimin e Dibrës kur qarku u kthye në hambar droge. Neritan Nallbati, i lidhur me Hakmarrjen për Drejtësi, apo Oltion Bitri, mik personal i Ardi Veliut, i njohur si gjobvënës i lokaleve të bllokut dhe ushtrues presionesh gjatë zgjedhjeve të ndryshme në favor të pushtetit. Lorenc Shehu, gjobvënës për subjektet e OFL-së, që u përfshi në fushatën zgjedhore me grupet kriminale të Shijakut, në shërbim të Ardian Celën dhe Vangjush Dako. Apo Niko Brahimaj, që sipas SHISH paguhej për informacionet që jepte, dhe ka favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi”, shtoi Alibeaj.