Nismat e harruara, draftet që PS la rrugës: Nga antishpifja te “disiplinimi” i presidentit

Në legjislaturën e fundit, mazhoranca socialiste shfrytëzoi mbështetjen e opozitës parlamentare për të kaluar shumë nisma ligjore, por disa prej tyre që u prezantuan me shumë bujë, mbeten në sirtarët e Kuvendit. Të tilla ishin amnistia fiskale, antishpifja apo edhe ligji organik për presidentin e Republikës.

Në katër vite, parlamenti ka miratuar rreth 500 ligje, por sërish qeveria nuk ka mundur të çojë deri në fund disa ide të saj që ndezën debatin publik.

E tillë ishte nisma e etiketuar si “anti-shpifje” ku mazhoranca kërkoi të rregullonte relatat e saj me median, nëpërmjet ndryshimeve ligjore që preknin edhe funksionimin e AMA-s.

Për të zbutur relatat me ndërkombëtarët për këtë çështje, shumica iu drejtua Komisionit të Venecias, i cili e hodhi poshtë projektligjin e qeverisë e që nga ajo kohë, drafti qëndron në sirtarët e Kuvendit.

Nisma tjetër që u publikua me bujë nga vetë kryeministri Rama ishte amnistia fiskale. Edhe në këtë çështje, ishin sërish ndërkombëtarët që i treguan ekzekutivit shqiptar se ky hap kishte kaluar caqet dhe cenonte ta kthente Shqipërinë në një lavatriçe parash.

Projektligji u shqyrtua në komisione parlamentare, por pa kaluar asnjëherë në seancë plenare. 

Brenda kornizave ligjore parlamenti kërkoi të fuste edhe veprimtarinë e Presidenti të Republikës. Në parlament u ngrit një grup pune i cili hartoi projektligjin për “Presidentin e Republikës” të cilin e depozitoi, por nuk e futi asnjëherë në procedurë parlamentare.

Teknikisht të gjitha këto nisma ligjore i kalojnë Parlamentit të ri në shtator, por gjasat janë që rikthimi i opozitës tradicionale në Kuvend ta zbehë më shumë mundësinë e mazhorancës për t’i kaluar ato, pa gjetur dakordësi.