Përhapja e variantit Delta, Franca apel qytetarëve: Shmangni pushimet në Spanjë e Portugali

Francezët këshillohen të shmangin Spanjën dhe Portugalinë për pushimet verore, për shkak të rreziqeve të lidhura me variantin më të transmetueshëm Delta.

“Për ata që ende nuk i kanë prenotuar pushimet akoma, është më mirë të shmangin Spanjën dhe Portugalinë si destinacione. Është një rekomandim për të treguar kujdes. Është më mirë të qëndroni në Francë, ose mund të shkoni në vende të tjera, por jo atje, veçanërisht në Portugali”, deklaroi Clement Beaune, Ministër për Çështjet Europiane.    

Infektimet me variantin indian të koronavirusit, i identifikuar fillimisht në Indi po rriten ndjeshëm në Britaninë e Madhe, ndërsa në Spanjë dhe Portugali niveli i lartë i rasteve ka detyruar autoritetet të rikthejnë kufizimet.

Varianti më ngjitës përbën tashmë 40 përqind të infektimeve të reja në Francë dhe sipas qeverisë mund të shkatërrojë sezonin e pushimeve nëse vala do të lejohet të përhapet. Autoritetet thanë se Franca mund të vendosë të ashpërsojë masat gjatë ditëve në vazhdim, përfshirë kontrolle më strikte ndaj certifikatave shëndetësore europiane.