Rama: E pajustifikueshme rritja e rasteve të mungesës së etikës nga Policia e Shtetit

8 KORRIK ERTV frame 12966 1100x620

Edhe pse e quajti si një prej institucioneve me besueshmërinë më të lartë në vend, kryeministri Edi Rama tha se është e pajustifikueshme që të rriten rastet e referuara për mungesë të etikës në komunikim me qytetarët.

“Policia ka jo pak arsye për të qenë krenare. Por pikërisht pse ka dhënë provën se në këtë vend mund të ketë polici të standardeve europiane, edhe pritshmëria, edhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës. Pritshmëria nga njëra anë lidhet me domosdoshmërinë që policia, si të gjitha strukturat e shtetit, të ecin më shpejt dhe të japin rezultate në çdo hap e më domethënëse, pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e Forcave Shqiponja dhe patrulla e përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura”, tha Rama në një takim me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

“Rritja e rasteve të mungesës së etikës është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë. Imazhi i Policisë së Shtetit nuk mund të cenohet. Ky është prioriteti i prioriteteve për të gjithë drejtuesit e rinj të policive vendore, që shenjtërinë e uniformës dhe mbrojtjen e imazhit të Policisë së Shtetit duhet ta kenë dritë në syrin e tyre. Rishfaqja e rasteve të korrupsionit të vogël, sidomos te strukturat e policisë rrugore, janë të patolerueshme”.