Rama: Pronarët e lokaleve në bregdet që shkelin ligjin, janë tutorët e Policisë në ato zona

KR polica aksion per plazhet Velipoje frame 374 1100x620 1 1100x620

Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër sjelljen e Policisë së Shtetit në zonat turistike, duke risjellë në vëmendje incidentet – shpeshherë tragjike – të ndodhura në javët e fundit, ndërkohë që jemi në mes të sezonit turistik.

“Kush janë këta pronarë lokalesh në zonën bregdetare, që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë kufirin e orës policore, krijojnë hapësirë abuzimi të atillë që degjeneron deri në krisma dhe plagosje në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur në lokal?

Këta janë tutorët e Policisë së Shtetit në ato territore, janë korruptuesit e Policisë së Shtetit, abuzuesit më të mëdhenj me uniformën, që tërheqin për hunde policë, shefa komisariatesh, duke i kthyer në roje të aktivitetit të tyre të paligjshëm”, tha Rama.

“Rasti i Sarandës ishte një rast alarmant dhe e kam ndarë këtë gjë me ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që ai rast duhet të çonte në ndëshkimin penal të gjithë zinxhirin drejtues të policisë në Sarandë. Jo në masa ordinere, por në përjashtimin e menjëhershëm dhe ndëshkimin penal të personave përgjegjës”, shtoi kryeministri.