Trafikimi i qenieve njerëzore, më shumë se 450 raste në 5 vitet e fundit, shumica fëmijë

“Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një kujtim i zbehur historik: është një çështje sociale në Shqipërinë e sotme dhe mbart farën e një kërcënimi të mundshëm për sigurinë”

Kjo ishte një ndër gjetjet e publikuara në një opinion nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco më 14 prill të këtij viti.

Pohime të ngjashme vijnë edhe nga raporte të tjera nga organizata dhe institucione ndërkombëtare. Në një publikim të muajit maj të vitit të shkuar, UNICEF, organizata e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët shprehej: “Pavarësisht nga përpjekjet e shtuara të Qeverisë Shqiptare, organizatave qeveritare dhe shoqërisë civile për të luftuar fenomenin, trafikimi vazhdon të jetë realitet për shumë qytetarë shqiptarë, fëmijë, vajza të reja dhe të rinj në veçanti” 

Më të ashpra kanë qenë reagimet nga Komisioni Europian, i cili në progres raportin publikuar në tetor të vitit të shkuar shprehej se Shqipëria është një vendburimi, tranziti dhe destinacioni për trafikimin e qenieve njerëzore.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit, në një raport të pak ditëve më parë referoi se vendi nuk përmbush plotësisht standardet minimale për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. 

Më shumë se 450 raste të trafikimit të qenieve njerëzore, shumica e të cilëve fëmijë, janë referuar nga autoritetet shqiptare në 5 vitet e fundit.

Në po të njëjtin hark kohor, sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, vetëm 29 persona janë proceduar penalisht për trafikimin e fëmijëve, ndërsa vetëm 18 prej tyre janë dënuar.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, numri i viktimave të trafikimit në rang global në vitin 2019 ishte rreth 50,000. Megjithatë, trafikimi i qenieve njerëzore, raportohet shumë pak dhe numri i viktimave vlerësohet të jetë shumë më i lartë.