Zjarret nga gazi në Shkodër, shkaqet kryesore neglizhenca dhe abuzimi me bombolat

Neglizhenca dhe abuzimi me shitjet dhe përdorimin e bombolave të gazit për gatim, kanë shkaktuar dy ngjarje të rënda në qarkun e Shkodrës brenda një kohe të shkurtër.

Më herët, ishte shpërthimi që ndodhi në një hotel në Velipojë ku mbetën të plagosur me djegie të rënda katër anëtarë të së njëjtës familje. Ndërsa pak ditë më pas, një tjetër ngjarje e ngjashme ndodhi në një banesë në Koplik, ku sërish rrjedhja e gazit shkaktoi zjarr dhe djegien e një dhome, si dhe plagosjen e zonjës së shtëpisë, e cila pësoi djegie në pjesë të ndryshme të trupit.

E përbashkëta e këtyre ngjarjeve, sipas ekspertëve është fakti që bombolat kanë qenë të papërshtatshme për përdorim shtëpiak, dhe pasojë e zjarrit ka qenë rrjedhja e gazit.

“Një problem shumë i madh për ne kanë mbetur bombolat e kampingut, 5 kg, që janë për t’u përdorur në ambiente të hapura, dhe jo përditë”, thotë Agron Dibra, drejtor i Repartit Zjarrfikës të Shkodrës.

Ai apelon për kujdes të shtuar të personave që përdorin gazin për gatim, duke i blerë bombolat në pika të certifikuara dhe të kolauduara. “Shumë është neglizhencë e qytetarëve. Edhe kur i marrin për të parë a ka rrjedhje, ndezin çakmakun… Është katastrofë”.

Ndërkohë edhe inspektorati teknik, nevojitet të intensifikojë kontrollet në mënyrë që të shmanget mbushja e bombolave për gatim në pika karburanti që tregtojnë gaz për automjetet.