Basha reagon pas përjashtimit të Tushes nga PS: Peshku qelbet nga koka

Pas mbledhjes së kryeministrit Rama me kryetarët e bashkive në vend dhe pas përjashtimit të kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, nga PS ka ardhur edhe reagimi i kreut demokrat, Lulzim Basha. Në një postim në Twitter, Basha shprehet se “peshku qelbet nga koka!”.

“Mund të lash duart me një kryebashkiak të korruptuar apo të bësh koka turku bedelët e tu në atë sallë, por shqiptarët e dinë mirë se PESHKU QELBET NGA KOKA!”, shkruan Basha, krahas një fotoje të raportit të BB dhe BERZH mbi nivelin e ryshfetit në Shqipëri.

Në takimin me kryebashkiakët e vendit, Rama u bëri thirrje që të mos ndikojnë me pushtetin e tyre në favorizimin e njërës apo tjetrës palë në prokurimet publike, pasi, sipas tij, do të përballen me SPAK-un.