Java e modës në Paris, Armani prezanton koleksionin e ri

Stilisti italian, Giorgio Armani, prezantoi një koleksion Haute Couture në Javën e Modës në Paris ku ndërthuri vezullimin e Hollywood-it dhe kostumet plot shkëlqim. Para një numri të kufizuar të ftuarish, modelet sfiluan në ambientet e ambasadës italiane në Paris, duke mahnitur me koleksionin vjeshtë/dimër. 

Në të mbretëronin veshjet e derdhura dhe fustanet me pala në ngjyrë pastel, si dhe xhaketat velvet të zeza. 86-vjeçari gjithashtu sugjeroi kostume në ngjyra të ftohta, por edhe sete të pastra në ngjyra jeshile dhe rozë. Stilisti veteran riparaqiti gjithashtu në koleksion rreth 15 veshje nga shfaqja e tij Privé e muajit janar, sepse dëshironte që njerëzit t’i shihnin ato nga afër dhe sepse, sipas tij, “Haute Couture” është një shembull i qëndrueshmërisë në kohë.

Stilisti rrëfeu se pandemia nuk ka ndikuar në prodhimet e tij, por theksoi se koleksionet duhet të prezantohen para një audience.

“Koronavirusi nuk ka ndikuar në punën time. Unë jam i lumtur që do ta prezantojmë këtë koleksion përpara një publiku, sepse mendoj se të gjitha veshjet duhet të shihen në një mjedis të vërtetë dhe në një trup në lëvizje për t’u vlerësuar plotësisht”.

Megjithatë, Giorgio Armani i mbeti besnik idesë se moda nuk ndjek trendet. Besimi i tij se stili duhet të jetë i përjetshëm dhe jo të përshtatet vazhdimisht me trendet e reja ka qenë në zemër të kompanisë së tij që nga fillimi.