“Masakra” e arbitrit rus, 12 kartonë të verdhë dhe 2 të kuq në dëm të Vllaznisë

arbitri 1100x620

Një humbje në shifrat 3-1 në debutimin në Kupat e Evropës nuk përbën çudi për një klub shqiptar që prej vitesh ka munguar në arenën ndërkombëtare. Por, kur njëra prej skuadrave ndëshkohet me një numër rekord kartonash dhe për më tepër e pëson nga dy 11-metërsha të diskutueshëm, gjykimi nuk mund të shpëtojë pa u vënë re.

Kjo është ajo që i ndodhi Vllaznisë në ndeshjen ndaj Siroki Brijeg, me shkodranët që panë në dëm të tyre 12 kartonë të verdhë, dy të kuq, njëri prej të cilëve për trajnerin Brdaric, dhe 2 penallti të dyshimta që sollën avantazhin e dyfishtë të skuadrës boshnjake.

Në kampin kuqeblu janë tepër të irrituar për masakrën e kryer nga arbirti rus Aleksei Matjunin, i cili u tregua më tepër se me dorë të hekurt ndaj nënkampionëve të Shqipërisë. Vllaznia është ndëshkuar për çdo faull të shkaktuar, madje statistikat tregojnë 12 kartonë të verdhë për 11 ndërhyrje të parregullta.

Javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit në Shkodër dhe kuqeblutë mbeten në lojë për kualifikimin, me golin e shënuar në fundin e sfidës së parë.