Metoda “Montessori” në mësimdhënie, ministrja Kushi: Vlerë e shtuar në sistemin arsimor

WhatsApp Image 2021 07 09 at 18.51.50 1100x620

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ishte pjesë e një takimi të organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë.

Në qendër të këtij takimi ishte zhvillimi i mëtejshëm i metodës “Montessori” në mësimdhënie, e cila ka të bëjë me të kuptuarit e nevojave zhvillimore të fëmijës që synojnë nxitjen e pavarësisë, vetë-disiplinimin, vetë-motivimin, përqendrimin, vetëvlerësimin, besimin, dashurinë për nxënien dhe respektin për të gjitha format e jetës.

“Falënderoj organizatorët për ftesën. Në mënyrë të veçantë ambasadën Italiane në Tiranë dhe Ambasadorin, për bashkëpunimin shumë të ngushtë që kemi patur kohët e fundit. Vetëm në muajt e fundit ne kemi arritur që të nënshkruajmë dy marrëveshje bashkëpunimi me ambasadën italiane”, u shpreh ministrja në fjalën e saj.

Kushi shtoi se e konsideron metodën “Montessori” një vlerë të shtuar në sistemin arsimor, nisur nga fakti se bazohet në vetë-menaxhim, në rritjen e kompetencave të nxënësve në ndërveprimin dhe aspekte të tjera të cilat rrisin besimin e fëmijëve për të përballuar me sukses sfidat që sot kërkohen nga tregu i punës dhe shoqëria.

Sipas Kushit, tradita e shkëlqyer italiane në arsim ka edhe një markë tashmë e mirënjohur ndërkombëtare, metoda “Montessori” e cila është shtrirë prej kohësh në të gjithë globin.

Marrëveshja e parë është në lidhje me programin “Iliria”, i cili nxit mësimdhënien në gjuhën italiane si gjuhë e parë e huaj në disa shkolla, dhe marrëveshja e dytë lidhet me nxitjen e kulturës së ligjshmërisë dhe antikorrupsionit që në moshë të hershme tek nxënësit.