
Pas dështimit në “Euro 2020”, Franca dhe Belgjika konfirmojnë trajnerët
Pavarësisht zhgënjimeve për të fituar trofeun më të rëndësishëm kontinental, dështimi ka kaluar pa pasoja për dy pretendentët kryesorë të Euro 2020. Franca dhe Belgjika konfirmojnë trajnerët.
Didier Deschamps do të vijojë punën te kampionët e botës, edhe pse “Gjelat” u eliminuan në 1/8 nga Zvicra. Trajneri do të qëndrojë në krye të stolit edhe për Botërorin e vitit 2022 në Katar. Garancia u dha nga Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Noel Le Graet, gjatë një interviste për “Le Figaro”.
Sipas tij, “Deschamps do të punojë edhe për turneun në Katar dhe çështja u zgjidh pas bisedës që zgjati vetëm tre minuta. Palët kishin dëshirë të fortë që bashkëpunimi të vazhdonte dhe nuk pati asnjë diskutim”.
Edhe Belgjika konfirmoi trajnerin Roberto Martinez, deri në Kupën e Botës 2022, me gjithë eliminimin nga Italia në çerekfinale. Lajmi u dha nga vetë tekniku spanjoll, gjatë një konference për shtyp. “Jam i përqendruar te kualifikueset e Botërorit dhe te kualifikimi në finalet e Ligës së Kombeve. Për të ardhmen time është diskutuar para, gjatë dhe pas Europianit, por unë e kam gjithçka të qartë”, tha Martinez.
Prej të mërkurës, edhe federata konfirmoi se synon të vijojë bashkëpunimin me trajnerin. 47-vjeçari u emërua në krye të “Djajve të Kuq” në korrik të vitit 2016 dhe ka kontratë me Belgjikën deri në fund të Botërorit në Katar.