Protesta e mjekëve, Sindikata: Të mos u bëhet gjyq popullor, drejtësia po tejkalon caqet

Me të njëjtën mënyrë dhe orar, mjekët e Spitalit të Traumës janë solidarizuar edhe një herë me kolegët e tyre, të shoqëruar disa ditë më parë nga Policia e Shtetit.

Mungesa e provave ekzakte dhe mospasja e një vendimi nga Prokuroria, ka detyruar mjekët të kundërshtojnë mënyrën se si u trajtuan Ervin Sulaj dhe Serdi Memini nga strukturat e Policisë.

Sindikata e Mjekëve thotë se janë kaluar caqet e drejtësisë, duke krijuar “show” me bluzat e bardha: “Kjo drejtësi po kalon cakun. Të mos bëhet gjyq popullor për mjekët. Deri kur të gjehen provat, të mos qëndrojnë në burg sepse nuk janë kriminelë. Nuk mund të qëndrojë në burg personi që ka plagosur me mjekun, që është përpjekur ta mjekojë të plagosurin”.

Mjekëve u është krijuar një situatë tensioni edhe brenda mureve të Spitalit të Traumës, ku shumë mjekë dhe infermierë nuk ndihen gati të kryejnë operacione: “Të gjithë janë të frikësuar, nuk i shpjegojnë dot familjarëve se çfarë ndodhi gjatë operacionit sepse tashmë kjo shihet si akt korruptiv”.

Pakënaqësi shprehin edhe ndaj pagave, si dhe ngarkesës së punës në raport me kushtet që vendet e Europës ofrojnë për mjekët.

Mjekët thonë se kauza e tyre do të shtrihet edhe në rrethe, ndërsa jashtë kamerave pranojnë se ndaj tyre ka pasur presione për protestat e organizuara.