Raporti i Inspektoriatit Qendror, AKM e ka thuajse të pamundur të kryejë plotësisht detyrat e saj

Agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka thuajse të pamundur të kryejë funksionin për të cilin është krijuar. Ky është përfundimi i Inspektoriatit Qendror në një raport mbi ecurinë e këtij institucioni gjatë vitin 2020 në të cilin thuhej:

“AKM ka mungesë infrastrukture të nevojshme për zhvillimin e aktivitetit, si: mungesa e zyrave për inspektorët; mungesa e bazës materiale (kompjuter, skaner, fotokopje); mungesa e logjistikës (automjete); mungesa e një regjistri elektronik të subjekteve aktive të pajisura me leje mjedisi; mungesa e përmirësimit të listë verifikimeve të inspektimit online, etj.”

Po si reflektohen këto mangësi në situatën në terren për mjedisin dhe qytetarët? Ekspertët e mjedisit vlerësojnë se mungesa e burimeve njerëzore dhe infrastukturore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit çon në nxjerrjen e të dhënave jo të sakta, të cilat shpeshherë kundërshtohen nga raporte të tjera kombëtare apo ndërkombëtare.

Shqipëria klasifikohet si vendi i fundit në Europë e madje në Rajon për nivelin më të ulët të fondeve të dedikuara ndaj mbrojtjes së mjedisit.