Sezoni turistik, 1607 efektivë në terren, nuk do tolerohen tejkalimet e orareve për lokalet

1607 efektivë të policisë rrugore, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policisë Kriminale janë angazhuar për të ruajtur rendin gjatë sezonit turistik.

185 mjete, mes tyre dhe dronë, do të jenë në shërbim të policisë për kontrollin e territorit, por edhe parandaluar çdo ngjarje të mundshme. 

“Strukturat qendrore dhe vendore të Policisë janë në monitorim të të gjitha shërbimeve policore në veçanti në të gjithë zonën bregdetare, duke ndarë edhe përgjegjësinë e drejtuesve të strukturave policore sipas sektorëve dhe plazheve konkretë, me qëllim që të jemi sa më pranë qytetarëve, që ata të kryejnë pushime sa më të qeta”, u shpreh Albert Dervishaj, zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Rëndësi i është dhënë zbatimit të orareve nga lokalet pranë zonave bregdetare.

“Policia e Shtetit, në përmbushje të misionit dhe të detyrave të saj institucionale, do të ushtrojë kontrolle të pandërprera dhe do të marrë masa në vlerësim edhe të shqetësimeve të ngritura nga pushuesit në zonat bregdetare apo nga banorët në qendrat e banuara, duke ndëshkuar çdo subjekt që nuk ndalon muzikën sipas orarit të përcaktuar ose gjeneron zhurmë tej normave të lejuara, në qendrat urbane, zonat turistike dhe ato bregdetare. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon që të gjitha institucionet që ligji i ngarkon me detyra në këtë drejtim, si dhe subjekteve për bashkëpunim gjatë sezonit turistik”, shtoi Dervishaj.

Policia Rrugore ka hartuar një plan masash të detajuar për minimizimin e aksidenteve rrugore ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë do të kenë kufizime në qarkullim deri në shtator të këtij viti.

Në Shqipëri do të stacionohen dhe efektivë të policisë kosovare ndërsa Shqipëria do të dërgojë patrullat e saj në Malin e Zi.