Sinjale për prezencën e variantit Delta në Shqipëri, Manastirliu apel qytetarëve: Vaksinohuni sa më parë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se ka sinjale të pazakonta nga analizat e kryera në ISHP, për prezencën e variantit Delta në Shqipëri. Nga Sauku ku ndoqi procesin e vaksinimit ajo tha se analizat do të çohen në Gjermani, për të parë nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri.

“Në Institutin e Shëndetit Publik janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në Laboratorin e Referencës në Gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri”.

Ministrja u ka bërë apel qytetarëve, që të mos e neglizhojnë vaksinimin anti-covid. 

“Jam këtu për të nxitur edhe njëherë vaksinimin, në qendrat shëndetësore, në ambulanca, në qendrat e vaksinimit të përqendruar. Tashmë, duke filluar nga fundjava dhe në vijim, edhe me njësitë lëvizëse, të cilat do të jenë në territor dhe do të ndihmojnë për vaksinimin në zonat ku kemi xhepa ende të pavaksinuar”.

Manastirliu u shpreh se vaksinimi do të vijojë me intensitet gjatë verës dhe foli për kalendarin e mbërritjes së vaksinave anti-covid në vend.

Sipas Ministres së Shëndetësisë, plani kombëtar i vaksinimit parashikon vijimin e vaksinimit të kombinuar, por edhe ditët e hapura të vaksinimit +18 vjeç, të cilat do të rikthehen sërish në muajt korrik dhe gusht.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1 011 297 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 429 191 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.