32 mijë të infektuar në vigjilje të finales së Euro 2020 në Britani

161003899 963d0710 8ae2 4c97 8ac9 6f0838f0c0c8 1 600x338

Britania e Madhe ishte një ndër vendet e para që lehtësoi masat kundër koronavirusit, për shkak dhe programit shumë të mirë të vaksinimit, por situata nuk po shkon në drejtimin e duhur.

Janë mbi 32 mijë persona të tjerë të infektuar me Sars Cov-2 në 24 orët e fundit dhe kjo vetëm një ditë përpara mbajtjes së finales së Kampionatit Europian të Futbollit mes Italisë dhe Anglisë që do të luhet në Uembli.

Në ndeshjen e nesërme janë parashikuar të jenë të pranishëm 67 mijë tifozë, ose 75% e kapacitetit të stadiumit, por ekspertët kanë dhënë alarmin se një gjë e tillë mund të kthehet sërish në një “bombë” për përhapjen e pandemisë.

Për të mos u nënvlerësuar është dhe numri i personave të shtruar në spitale, të cilat janë shtuar me 56%. Megjithatë këto shifra shqetësuese duket se nuk do të modifikojnë vendimin e organizatorëve të finales.

Epidemiologu Paul Elliot është një ndër kritikët më të mëdhenj të mbushjes së stadiumit me kaq shumë njerëz, duke rikujtuar se situata mund të precipitojë si në shkurt të 2020, kur ndeshja Atalanta-Valencia u shndërrua në një bombë për përhapjen e pandemisë.