Ballkani Perëndimor, copëza që i mungon Bashkimit Europian për të qenë i plotë

Në Ohrin e paqes në Maqedoni të Veriut, për herë të parë mblidhen presidentë, kryeministra, ministra…

Pjesëmarrësit e ditës së parë të Forumit të Prespës për Dialog mbërritën në vendin ku mbahej eventi, teksa në fytyrë i shoqëronte gjithmonë buzëqeshja. Bisedat para paneleve ishin miqësore dhe pozitive, por ngërçi në negociatat e anëtarësimit dhe procese të tjera të aderimit në Bashkimin Europian, mbizotëruan në diskutime.

SHBA, e përfaqësuar nga Matthew Palmer, nuk u fsheh. “Është jetike që BE-ja të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”, deklaroi zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit. “Për të realizuar potencialin e plotë të këtij rajoni, liderët duhet të bëjnë më tepër se premtime, duhet të marrin masa dhe të zgjidhin çështjet politike brenda dhe jashtë vendit, të fuqizojnë demokracitë multietnike dhe sistemet e drejtësisë dhe të lëvizin drejt së ardhmes”.

Edhe eurodeputetja Tanja Fajon, nuk i kurseu kritikat. “Nuk do të them se kam pritshmëri të larta, por jam pozitive për diçka, që presidenca sllovene vendosi Ballkanin Perëndimor një ndër prioritetet. Nëse do të shohim rezultate të mira, varet nga secili prej nesh… Të jemi të sinqertë, rajoni është në një gjendje të keqe, procesi i zgjerimit po ashtu, si dhe Bashkimi Europian është në një gjendje të keqe. Nuk dua të bëhem pesimiste, por ndaj të njëjtin frustrim si qytetarët në Maqedoni të Veriut, Shqipëri apo në Kosovë dhe pjesë të tjera të rajonit. Është për të ardhur turp që s’kemi hapur ende as negociatat”.

Në fund të këtij sesioni të parë, organizatori, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbajti një konferencë për shtyp. Nga aty, njoftoi një iniciativë mjaft të rëndësishme, siç ishte ajo B6.

Paneli i radhës ishte ai i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ku nuk munguan as përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe as ata të Bashkimit Europian. Fokusi mbeti tek dialogu, por edhe tek zhbllokimi i procesit të anëtarësimit. Zëvendëskryeministri i parë për çështjet europiane Nikola Dimitrov, theksoi se çështja e gjuhës është e brendshme dhe vetëm qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të diskutojnë për të.

“Nuk ka asnjë dilemë se zhgënjimi ndaj Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit është i madh, jo vetëm këtu por edhe në Shqipëri. Kjo ka efekt edhe në vendet e tjera, duke përçuar mesazhin jo pozitiv për fqinjët”

Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut

“Rajoni ynë ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm falë ëndrrës së përbashkët evropiane dhe falë mbështetjes së BE. Por siç tregoi edhe Këshilli i 22 qershorit, BE sot nuk ka një qasje strategjike ndaj rajonit, çka shpresojmë që do të ndryshojë pas dështimit për t’i dhënë Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Por kjo s’është thjesht një çështje e BE-së”

Olta Xhaçka, ministre e Jashtme e Shqipërisë

“Çështjet bilaterale ose mosmarrëveshjet mes dy vendeve si ato mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, nuk duhet të ndërhyjë dhe të ndalojë rrugën e integrimit europian. Më vjen jashtëzakonisht shumë keq që Këshilli i Ministrave për Europën nuk arriti të hapë negociatat për miqtë tanë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos së një shteti të vetëm”

Michael Roth, ministër gjerman për Europën

Kryeministri i këtij shteti, Zoran Zaev, drejtoi konferencën në kuadër të Forumit për Dialog për shënimin e përvjetorit të marrëveshjes historike të Prespës, që i dha fund mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke rezultuar me ndryshim të emrit.

“Marrëveshja i dha fund një epoke dhe ishte fillimi i një kapitulli të ri si për të dyja vendet, ashtu edhe për rajonin më gjerë. Kur bashkëpunimi është konstruktiv dhe me vullnet të mirë, paqja paraqitet me një arritje natyrore. Bota e pranoi se edhe nga Ballkani mund të vijë një histori suksesi”

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Pjesë e panelit dhe bashkëfirmëtari, ish-kryeministri grek, Aleksis Tsipras.

“Marrëveshja e Prespës ishte një hap i madh, jo vetëm në zgjidhjen e një problemi madhor, por edhe një mesazh i rëndësishëm për vendet e Ballkanit”

Aleksis Tsipras, ish-kryeministër Greqisë

I pranishëm në konferencën “Rruga Drejt Prespës”, ishte edhe zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Reeker.

“Prespa vendosi një standard për të gjithë rajonin, lidhur me zgjidhjen paqësore të konflikteve përmes dialogut dhe konfirmoi për botën se liderët e Ballkanit Perëndimor janë në lartësinë e sfidës”

Filip Reeker, zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Europën dhe Euroazinë

Ish-shefja e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri, Johanes Hahn, folën më shumë krenari për marrëveshjen e Prespës. Në panel i pranishëm dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, si dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Në fund të eventit, arkitekti i marrëveshjes së Prespës, ndërmjetësuesi i OKB, Methju Nimetz, u nderua me çmimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ky vlerësim do të jepet çdo vit.

Dita më e rëndësishme, skena u lihet kryeministrave

Dita e dytë e forumit të Prespës për dialog ishte më e rëndësishmja. Paneli i parë ishte rezervuar për presidentët e rajonit dhe të një vendi anëtar të Bashkimit Europian, Sllovenisë, që drejton presidencën 6-mujore të bllokut.

“Nuk do të shohim sinergji midis dy pjesëve të bashkësisë transatlantike e cila është kaq e rëndësishme për ne, si në vitet ’90-të. Kjo nënkupton se pjesa më e madhe e përgjegjësisë do të mbetet në shpatullat liderëve politikë rajonalë”

Stevo Pendarovski, president i Maqedonisë së Veriut

“Do të udhëtoj vetë në Bullgari, kryeministri si dhe ministri i jashtëm, dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të zhbllokuar çështjen duke lejuar çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”

Borut Pahor, president i Sllovenisë

“Për më shumë se 2 dekada agjenda e përbashkët mes Europës dhe SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor ka qenë integrimi në Bashkimin Europian duke motivuar reformat që do të sillnin  një ndryshim. Vetë procesi do të sillte një përmirësim të paqes dhe demokracisë në këto vende. Dhe tani të gjithë ne jemi të qartë që besueshmëria dhe influenca e BE-së në këtë rajon, ka rënë dhe është e dobët. BE-ja duhet të punojë që të risjellë besimin në Ballkanin Perëndimor dhe ky është një mesazh që sekretari Blinken e ka dhënë edhe në vizitat e tij në Berlin e Lion, dhe Romë”

Filip Reeker, zv.ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Europën dhe Euroazinë

Në pritje të panelit të radhës, kryeministrat e rajonit shfrytëzuan kohën e lirë për takime bilaterale dhe biseda joformale. Kryeministri Edi Rama, takoi përfaqësues të qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe kryetarin e Bashkimit demokratik për integrim, Ali Ahmeti.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë me eurodeputetët, Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein.

Më pas ndodhi dhe takimi mes Ramës dhe Kurtit, biseda e të cilëve ishte shumë miqësore dhe dukshëm me batuta.

Kryeministrat e rajonit iu drejtuan sallës… zhgënjimi ndaj Bashkimit Europian mbizotëroi në fjalën e tyre.

“Pavarësisht progresit që bëmë, nuk morëm një përgjigje pozitive. Politikat e BE-së dështuan. Me mosmiratimin e kuadrit negociues, BE, nuk e përmbushi premtimin. Ky është një dekurajim i madh për të gjithë rajonin”

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut

“Ju mund të organizoni dhe bëni të gjitha përgatitjet për një dasmë të bukur një herë duke bërë gjithçka siç duhet. Por, në fund, nusja nuk duket askund. Mund ta bësh sërish këtë për herë të dytë duke angazhuar sërish një skenografi të mrekullueshme, muzikën dhe zbukurimet më të bukura, me të ftuar, ushqim dhe gjithçka tjetër, por nusja nuk vjen sërish. Dhe pastaj ju thjesht mund të thoni atë shprehjen ‘dreqi e marrtë’ dhe nuk bën më asnjë përgatitje për dasmën dhe nëse ndodh që nusja vjen, atëherë le të jetë diçka e zakonshme”

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

“Të qenit vendi i vetëm të cilit ende nuk i janë liberalizuar vizat, na bën të  kuptojmë mërzitjen tuaj shumë mirë. Gjithsesi ne duhet të bëjmë durim. Vërtetë BE është e ngadaltë, vërtetë BE-së i mungon uniteti, por është shpresa jonë më e mirë”

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Mendoj se është vendosur një precedent i keq dhe shpresoj që mos të shohim më të tillë në të ardhmen. Por kam frikë se kutia e Pandorës mund të hapet. Nëse integrimit europian vazhdon kështu, bie në kundërshtim me të gjitha vlerat europiane”

Ana Brnabic, kryeministre e Serbisë

Forumi i Prespës kishte në thelb dialogun, mes vendeve të Ballkanit por edhe me Bashkimin Europian. Natyrisht procesi mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të lihej jashtë. Në Ohër, përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, takoi delegacionin e Kosovës, dhe atë të Serbisë. Rezultatin e shpjeguan pak Kurti dhe Brnabic në dy konferenca të ndara për shtyp.

“Njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi, nuk ka alternativë dhe sa më parë të ndodhë aq më mirë do të jetë edhe për rajonin dhe besoj që aspak nuk do vononte as Bosnja Hercegovina dhe BE do ta kishte më të lehtë përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

“Kompromis është që të takohemi diku në mes, që të nisemi nga pikat tona fillestar, e secila palë të fitojë e të humbë diçka dhe që të dyja të dalin të pakënaqur barabartë. Duhet të gjendet për këtë kompromis duhet të gjendet që t’i kthehemi të ardhmes. A do t’ia dalim varet nga Beogradi dhe Prishtina”

Ana Brnabic, kryeministre e Serbisë

Porosia e zyrtarëve të BE ishte gjetja e një zgjidhjeje, ndërsa e atyre të SHBA njohja e ndërsjellë.

Organizatorët mbajtën dhe konferencat e fundit me rezultatet e Forumit të Prespës për Dialog. E për ta përmbyllur plotësisht, harta e Europës u plotësua dhe me copëzën që i mungonte, atë të Ballkanit perëndimor.