Fundi i një eksperimenti parlamentar

Shtatë korriku shënoi fundin e një legjislature anormale në politikën shqiptare. Kuvendi prej 122 deputetësh pushoi në funksionuari dhe parlamentarët morën pushimet. Disa të përhershme në politikë e disa të përkohshme, në pritje të muajt shtator për t’u rikthyer sërish në sallën e Kuvendit.

Një legjislaturë që ishte produkt i marrëveshjes politike Rama – Basha, ku fjala bashkëqeverisje kishte nisur të qarkullonte nën zë. Por rezultati i zgjedhjeve tregoi një tablo krejt tjetër. Partia Socialiste ia doli të merrte e vetme timonin e qeverisjes ndërsa Partia Demokratike shënoi një nga rezultatet më të dobëta të historisë së saj.

Të ndjerë të tradhtuar dhe injoruar demokratët radikalizuan aksionin e tyre duke e bërë bashkëjetesën parlamentare të pamundur, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca shfrytëzonte numrat që kishte në dispozicion për të plotësuar e vetme organet e drejtësisë.

Në mungesë të debateve, salla e Kuvendit u kthye në arenë përplasjesh fizike. Ndaj kryeministrit Rama Endri Hasa gjuan me vezë, Paloka i hedh bojë ndërsa Ndoka miell…

Është vetëm fillimi i 16 shkurtit. Me miratimin e ligjit special për teatrin në vjeshtën e vitit 2018, që u rrëzua pak ditë më parë nga kushtetuesja, opozita përshkallëzoi aksionin e saj politik duke bojkotuar parlamentin. Një veprim që u pasua me dorëzimin e mandateve në muajin janar.

Koha tregoi se ky vendim, prodhoi efektin e kundërt. Pati kosto të rënda për demokratët dhe favorizoi mazhorancën socialiste. Një gjë të tillë e tregoi edhe rezultati i 25 prillit. Me mandatet e dorëzuara, demokratët u zhvendosën nga foltorja e kuvendit në rrugë përballë zyrës së kryeministrit.

Me bekimin edhe të ndërkombëtarëve, mazhoranca në Kuvend nisi procesin e zëvendësimit të vakancave. Në parlament filluan të vinin deputetë të rinj që ishin poshtë listës fitues të PD-së dhe LSI-së duke plotësuar pjesërisht karriget e tyre. Deputetët e rinj u pagëzuan nga socialistët me emrin Opozita e Re, duke lënë jashtë vëmendjes aksionin e PD e LSI që kishin zënë derën e kryeministrisë.

Por shpejt u kuptua që opozitë kishte vetëm emrin, pasi u shndërrua në një mjet që mazhoranca e përdori për kalimin e shumë nismave ligjore. Me ndihmën e tyre, socialistët plotësuan votat që i duheshin për miratimin e Akteve si Prokurori i Përgjithshëm, 3 anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe dy herë Kodin Zgjedhor, duke e përshtatur atë sipas interesave të veta elektorale.

Mungesa e opozitës reale po ndihej në jetën politike dhe kjo bëri që mazhoranca e shtyrë edhe nga faktori ndërkombëtar të gjente një mënyrë për të rikthyer në lojë Partinë Demokratike dhe LSI, kështu lindi Këshilli Politik. Një tryezë që transferonte dialogun parlamentar jashtë Parlamentit, duke kaluar nga rezidenca amerikane, ku nuk munguan thirrjet e forta për kreun e opozitës. Kodi Zgjedhor i dakordësuar pas muaj të tëra diskutimesh, iu dërgua si paketë e mbyllur Parlamentit për ta votuar, pa drejtën e amendimit.

Legjislatura parlamentare pa opozitën reale detyroi Ilir Metën të hiqte xhaketën e Presidentit të Republikës. Si të mos mjaftonte, legjislatura e dallua edhe nga përpjekja pa precedentë në histori për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Jo një por dy herë. E para e lënë në mesme këshillë të Komisionit të Venecias, e dyta e çuar deri në fund, të paktën sa i përket procedurave parlamentare.

Njësoj si opozita që dogji mandatet, edhe Ilir Meta e ka cilësuar jo legjitim Parlamentin e mbetur pa 140 mandatet e plota që sanksion Kushtetuta. Por pavarësisht kësaj i ka miratuar ligje, ndërsa shumë të tjera ia ka kthyer.

Me mbylljen e legjislaturës largohen pjesa më e madhe e atyre që pranuan të quhen opozita parlamentare, ndonëse shpesh u panë të bashkojnë votat me mazhorancën për të kaluar nismat e socialistëve. Një eksperiencë që ata besojnë se kishte anët e veta pozitive.

Kjo ishte legjislatura e fundit edhe për Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruci i cili pas 30 vitesh zgjodhi të tërhiqet.