“Mirupafshim Napoli”, Hysaj stërvitet për herë të parë me Lazio-n

Elseid Hysaj është parë tepër i buzëqeshur pasi ka kaluar testet mjekësore të Lazio dhe ka kryer këtë të shtunë stërvitjen e parë me klubin roman, nën drejtimin e trajnerit Maurizio Sarri.

Edhe pse mbrojtësi i Shqipërisë është transferuar nga Napoli në kryeqytet me parametra zero, zyrtarizmi i marrëveshjes po vonon, për shkak të parametrave financiarë të klubit bardhekaltër, që më parë duhet të shesë një ose më shumë lojtarë.

Por kjo duket çështje ditësh, ose orësh, dhe asgjë nuk do ta pengojë Hysajn të luajë me Lazio-n sezonin e ardhshëm.

Pak orë më parë, mbrojtësi i dha edhe lamtumirën e fundit klubit të Napoli-t, duke falënderuar tifozët, shokët e skuadrës dhe të gjithë të tjerët.

“Një falënderim special për të gjithë ju tifozë, që më keni bërë të ndihem si në shtëpinë time, mua dhe familjen time. Jeni një qytet i veçantë dhe tifozë të veçantë. Për 6 vite kam dhënë shpirtin dhe gjithmonë kamë djersitur me këtë fanellë, duke u përpjekur që ta nderoj”, shkroi Hysaj në Instagram. “Si thotë shprehja e famshme “Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Kur shkon në Napoli qan dy herë, kur mbërrin dhe kur largohesh”. Kjo është e vërteta dhe unë do t’iu mbaj gjithmonë në zemër”.