Tenderi 25 milionë euro, SPAK vë në pranga 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë

Pas një hetimi disamujor, SPAK ka vënë në pranga 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme pasi dyshon se kanë abuzuar me tendera. Bëhet fjalë për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit me një vlerë rreth 23 milionë euro, për të cilën SPAK dyshon se këta nëntë zyrtarë kanë shkelur barazinë në tendera.

“Gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik. Anëtarët e njësisë së prokurimit, në bashkëpunim ne njëri tjetrin dhe me Titullarin e Organit Qendror Blerës, drejtori i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, kusi pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi”.

Prokuroria e Posaçme njofton se për këtë procedim penal do të vazhdojë puna me përparësi për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Tenderi i uniformave të policisë është bërë pjesë e akuzave politike vitin e shkuar. Në korrikun e 2020-ës, disa deputet të opozitës parlamentare kanë depozituar në SPAK kallëzimin penal për këtë tender ku në qendër akuzave vunë ish-ministrin e Brendshëm SandërLleshaj.