Është finalja e Europianit, por duket më shumë si një ditë historike për Anglinë, “çmenden” tifozët e saj

Sot është ndeshja më e rëndësishme prej dekadash për dy kombëtaret që do të përballen në finalen e Europianit, Italia dhe Anglia.

Italia nuk fiton një europian nga viti 1968, por ndërkohë ka marrë pjesë në finale të tjera, si në vitin 2000 ndaj Francës, ose në 2012 kundër Spanjës.  Ndërkohë, Anglia nuk sheh një finale në kompeticionet e rëndësishme, Europianë a botërorë qofshin, nga viti 1966, kur fitoi titullin botëror ndaj Gjermanisë, ndërkohë që kjo është hera e parë në një Europian.

Për anglezët kjo është një ditë e veçante, e pa përjetuar nga gjeneratat e reja, për më shumë e luajtur në tempullin e tyre, mitikun Wembley.

Stadiumi që zakonisht mund të mbushet deri në  87 mijë tifozë, për masat ndaj pandemisë është reduktuar në 67.500. Nga këto, rreth 58 mijë do të jenë anglezë, dhe më pak se 7 mijë italianë.

Presioni i tifozëve do të jetë i qartë dhe i dukshëm në favor të anglezëve gjatë ndeshjes, por britanikët kanë vendosur të japin një “antipastë” i asaj që do të ndodhë gjatë 90 minutave duke treguar gjithë “çmendurinë” e tyre në rrugët e kryeqytetit.

Qindra kuintalë birre kanë filluar të pijen, dhe sheshet dhe rrugët qendrore, ne veçanti ato që të çojnë në Wembley, janë mbushur me tifozë të mbledhur në flamuj me kryqin e kuq në sfond të bardhë.