Irani i lirë 2021, muxhahedinët kërkojnë sanksione ndërkombëtare për zgjedhjen e presidentit

Muxhahedinët e Shqipërisë, por edhe të gjithë botës u mblodhën në samitin tri ditor për Iranin e Lirë -2021. 50 mijë anëtarë të rezistencës në më shumë se 105 shtete u bashkuan kundër zgjedhjes si president nga Khamenei i Ebrahim Raisi-t, njërit prej autorëve të masakrës së 1988-ës ndaj 30,000 të burgosurve politikë.

“Vullneti ynë dhe i popullit tonë mundtë përmblidhet në këto tre fjalë: liri, demokraci, dhe barazi. Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, i kërkojmë që ta njohë përpjekjen e popullit iranian për ta përmbysur këtë regjim dhe t’i njohë këto tre koncepte. E nxisim Këshillin e Sigurimit të OKB që të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Raisi-t dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit, si dhe të mos e lejojë praninë e tij në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Regjimi i mullahëve nuk do ta braktisë kurrë përpjekjen për të zotëruar armë bërthamore, për të eksportuar terrorizmin, dhe për të nxitur luftëra në rajon. Prandaj, duke qenë kërcënimi kryesor ndaj paqes dhe sigurisë, ai duhet t’u nënshtrohet sanksioneve ndërkombëtare”.

Mes ndërkombëtarëve mesazh në mbështetje të muxhahedinëve dha dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

“Partia Demokratike e Shqipërisë e ka shprehur qartë pozicionin e saj. Ne kemi një pozicion të fortë kundër tentativave të regjimit iranian për veprime të paligjshme e terroriste në tokën tonë, si dhe kundër përpjekjes së tij të strukturuar për eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Ne mbështesim popullin iranian dhe qëllimin e tij për një Iran demokratike jo-bërthamor. Ne mbështesim dëshirën e popullit iranian për ndryshim dhe e vlerësojmë zonjën Rajavi dhe përpjekjet e saj për t’i ofruar popullit të Iranit perspektivën e një vendi të lirë, laik dhe demokratik”.

Mesazhe për rezistencën e Iranit dha edhe Pandeli Majko, i cili tha se populli iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve presidenciale, ndërsa ish sekretari i shtetit amerikan Mike Pompeo u shpreh se tashmë ka ardhur koha për një Iran më të lirë, më demokratik dhe jo-bërthamor.