Pandemia dhe tregu i punës: Dixhitalizimi, qeveria t’u rimbursojë bizneseve trajnimin e punonjësve

Pandemia e COVID-19 ka ndryshuar tregun e punës. Më të goditur rezultojnë bizneset e mesme dhe të mëdha, kryesisht në prodhim, shërbime dhe në aktivitetet e tjera të lidhura me turizmin.

Kjo ka rezultuar nga studimi i kryer nga Inciativa Qytetare Shqiptare, me asistencën teknike dhe financiare të COPLAN, në kuadër të projektit Ideal, financuar nga Bashkimi Europian. Në këto kushte, i është propozuar Ministrisë së Financave që të ndihmojë biznesin në sfidat që paraqet tregu i punës pas pandemisë, nëpërmjet njohjes së shpenzimeve për trajnimin e punonjësve si shpenzime të zbritshme dhe për kompensimin e një pjese të këtyre kostove.

Propozime këto të kërkuara nga sipërmarja, që do të merren parasysh në paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Akademik Adrian Civici theksoi se përveç këtyre masave, duhet bërë një njohje reale e profesioneve që kërkon tregu i punës pas pandemisë dhe të orientohen drejt tyre shkollat profesionale.