Tenderi i uniformave të policisë, Gjykata e Posaçme lë në burg 8 zyrtarët e Ministrisë së Brendshme

Në përballjen e tyre të parë me gjykatën, asnjë nga nëntë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Mistrisë së Brendshme, të akuzuar për abuzim me tenderin prej 2,8 miliardë lekë të pajisjes së policisë me uniforma, nuk pranuan të kenë shkelur ligjin.

Argumentet e tyre për pafajësi nuk bindën Gjykatën e Posaçme, që la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 8 prej tyre dhe atë të “arrestit të shtëpisë” për një tjetër. Mes të dyshuarve që do të hetohen në qeli është edhe ish-drejtoresha e Agjensisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari.

SPAK akuzon të dyshuarit për “shkelje të barazisë në tendera”, përmes ndryshimit të kushteve e kritereve të tenderit dhe favorizimit të një prej kompanive garuese. Sipas dosjes së prokurorisë, të siguruar nga A2CNN, procedura e tenderit “Blerje e shpërndarjeve e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, duhet zhvillohej në tre pjesë, por është bashkuar në një të vetme nga zyrtarët e dyshuar.

Prokurorët e SPAK kanë zbardhur gjithë korrespondencën e mbajtur nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ku ka rezultuar që gjatë procedurës janë bërë ndryshime të specifikimeve teknike, çka është reflektuar në ndryshim të cilësisë dhe sasisë dhe kostos së prodhimit dhe shpërndarjes, por jo të fondit limit të parashikuar.

Një prej anëtareve të Njësisë së Prokurimit, inxhinierja tekstile në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aurora Mulla, nuk ka pranuar të firmosë disa nga faqet e procedurës së tenderit. “Ajo nuk ka pranuar t’i nënshkruajë këto tabela për faktin se ishin bërë ndryshime nga anëtarët të tjerë të Njësisë së Prokurimit në sasitë e pritshme të artikujve dhe ajo nuk ka qenë dakord”, citon prokuroria deklarimet e dhëna prej saj.

Sipas SPAK, shqetësimi i inxhinieres është shfaqur tek anëtarë të tjerë të Njësisë së Prokurorimit, dy prej të cilëve mbetën në burg e një tjetër në arrest shtëpie, por nuk është dokumentuar me ndonjë procesverbal, përveç mosnënshkrimit të saj në 7 faqe të dokumenteve të procedurës.