Humbën 3 penallti, shpërthen racizmi në Angli pas finales së “Euro 2020”

Humbja në finalen përballë Italisë u shoqërua me ngjarje skandaloze në Angli. Lojtarët e përfaqësueses së “Tre Luanëve”, që në çdo ndeshje gjunjëzohen për të luftuar racizmin, u bënë sërish viktima të abuzimeve për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Një sulm i paprecedentë në rrjetet sociale, në qendër të së cilit ishin Rashford, Sancho dhe Saka, tre futbollistët që humbën penalltitë, duke bërë që Italia të shpallet kampione e Europës. Nga simbolet me majmunë tek ato me banane dhe deri te thirrjet “zhdukuni nga vendi ynë”. Një situatë serioze, rreth së cilës ndërhyri edhe kryeministri britanik, Boris Johnson.

Ai denoncoi ofendimet raciste ndaj futbollistëve, duke nënvizuar se “lojtarët meritojnë të trajtohen si heronj”, pasi e dërguan Anglinë në finalen e parë kontinentale. Kreu i qeverisë së Londrës tha se “përgjegjësit e këtyre abuzimeve të tmerrshme, duhet të kenë turp nga vetja”.

Edhe Federata Angleze reagoi menjëherë, duke u rreshtuar në krah të futbollistëve: “Kushdo që diskriminon futbollistët tanë, nuk është i mirëpritur në ndeshjet e përfaqësueses”.