Manastirliu: Do të vijnë 500 mijë doza vaksinash deri në fund të gushtit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në zonën e Shkozës, në periferi të Tiranës. Manastirliu tha se përgjatë periudhës së verës do të jemi derë më derë, për të vaksinuar qytetarët me njësitë e lëvizshme, edhe në ato zona ku aksesi ka qenë i pamundur deri tani.

“Përgjatë gjithë verës ne do të jemi derë më derë, duke vijuar fushatën tonë të vaksinimit edhe nëpërmjet njësive të lëvizshme. Po shkojnë në zonat e thella të vendit, duke mundësuar që të kemi një rritje të mbulesës vaksinale për grupmoshat e përcaktuara”, tha Manastirliu.

Duke bërë me dije se gjatë muajve korrik-gusht do të mbërrijnë rreth 500 mijë doza të tjera vaksinash, Manastirliu tha se sot pritet të vijnë mbi 18 mijë vaksina Pfizer.

“Ndërkohë që vijojmë dhe presim furnizimin e vazhdueshëm me vaksina, sot vijnë edhe 18 720 doza te vaksinave Pfizer, ndërkohë që përgjatë këtyre muajve, korrik-gusht do të kemi një furnizim të bollshëm në vaksina, rreth 500 mijë doza të vaksinave, të cilat do të mbërrijnë për të siguruar një qëndrueshmëri në programin tonë të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se do të intensifikohet procesi i vaksinimit, duke bërë me dije se ditët e hapura të vaksinimit do të vijojnë përgjatë korrikut dhe gushtit, për qytetarët mbi 18 vjeç.

Drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, u shpreh se vaksinimi me njësitë e lëvizshme do të shtrihet me shtatë njësi lëvizëse në të gjithë territorin, duke rritur aksesin për qytetarët. Ndërsa drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico u shpreh se është shumë e rëndësishme që qytetarët t’i kryejnë të dyja dozat e vaksinës, për të siguruar efektivitetin e nevojshëm për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit janë kryer  1 022 802 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 434 926 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.