Mbërrijnë në Rinas edhe 18 720 doza të vaksinës Pfizer

vaksina 21 1100x620

Ndërkohë që procesi i vaksinimit në vendin tonë po vijon, mbrëmjen e sotme kanë mbërritur në aeroportin Nënë Tereza në Rinas edhe 18 720 doza të vaksinës Pfizer. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, i cili thotë se deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 1 238 790 vaksina në total.

“Aeroporti “Nënë Tereza” – 18 720 doza të vaksinës Pfizer mbërritën sot, duke e çuar në 1 238 790 numrin e vaksinave të mbërritura deri tani në Shqipëri”

Po sot në vendin tonë filloi vaksinimi në komunitet nga Paskuqani, në periferi të Tiranës dhe do të shtrihet në të gjithë vendin.

Manastirliu tha se përgjatë periudhës së verës do të jemi derë më derë, për të vaksinuar qytetarët me njësitë e lëvizshme, edhe në ato zona ku aksesi ka qenë i pamundur deri tani.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,016,554 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Prej tyre 431 722 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anticovid.