Një e ardhme ndryshe për hekurudhat, vjen treni luksoz prej xhami

Një e ardhme krejt ndryshe po afron, ndoshta, për industrinë hekurudhore. Trenat janë trajtuar gjithmonë si një mjet përgjithësish më i lirë për të udhëtuar, veçanërisht për distancat më të gjata, ose si një mjet i rëndësishëm për transportin e mallrave.

Por së shpejti ai mund të jetë edhe një mjet transporti luksoz, madje edhe privat. Trena luksozë kanë ekzistuar edhe më parë. Nuk mund të harrohet Orient Express, Transiberiana, karrocat luksoze që duken si pallate mbretërore në Indi.  

Por inxhinieri francez Thierry Gaugain ka projektuar një tren të mirëfilltë totalisht të ri, dhe teknologjikisht të avancuar.

Me një kosto rreth 350 milionë dollarë, mjeti i quajtur “G Train” parashikohet me 14 karroca të konceptuara në një xham special, inteligjent, i cili ndryshon ngjyrë në vartësi të dritës së jashtme, që të jep ndjesinë e një fluturimi në natyrë.

Mjeti parashikohet të ketë sallone ku argëtimi teknologjik të jetë në maksimum, por edhe një kopsht të vërtetë botanik, plot pemë frutore, ku çdonjëri të relaksohet dhe të harrojë stresin e përditshëm.  

Pronari i trenit do të mund të mirëpriste miqtë tij në sallone praktikisht të tejdukshme, ku përjetimi i lirisë në një mjet lëvizës  do të arrinte vërtet dimensione të reja.  

“Udhëtimi nuk ka të bëj me arritjen nga një pikë A tek një pikë B. Udhëtimi nuk ka të bëj me shpejtësinë, por me kohën, që është pasuria e vetme që kemi”, thotë Gaugain.