Propozimet e Bashës: Ndryshimet në statut prekin Kryesinë e Këshillin, por jo kryetarin

Lulzim Basha ka depozituar propozimet e tij për ndryshimet në statutin e PD pranë komisionit të përhershëm statutor. Në dallim me Fatbardh Kadillin, Basha nuk propozon asnjë ndryshim për mandatin e kryetarit, por kërkon të riaktivizojë departamentet, të cilat gjatë mandatit të tij të dytë nuk ishin funksionale.

Basha propozon që ato të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar, të funksionojnë si strukturë këshilluese ndaj kryesisë dhe kryetarit  të Partisë Demokratike.

“Është rikonceptuar  mënyra e funksionit të Këshillit Kombëtar duke parashikuar që anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të organizohen në departamente të Këshillit Kombëtar, që funksionojnë si strukturë këshillimore e kryesisë dhe kryetarit të PDSH-së për çështjet tematike. Departamentet e Këshillit Kombëtar janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit  elektoral”.

Në materialin me të cilin shoqëron propozimet, Basha flet edhe për një zgjerim të Kryesisë.

“Është zgjeruar Kryesia e partisë, duke përfshirë si anëtarë të saj për shkak të funksionit edhe kryetarit e Këshillit Kombëtar, Kryetarin e Bordit të Financimit, Kryetarin e Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës”.

Në draftin e propozimeve kryedemokrati kërkon që të krijohet një strukturë e re, ajo e Këshillit Kombëtar të qarkut, e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në organizimin elektoral në nivel qarku.

“Është shtuar si strukturë vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i qarkut, që drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut që emërohet nga kryetari i partisë. Kjo do të jetë një strukturë  e përhershme me përgjegjësinë organizimin elektoral  dhe aksionet e veprimtarive politike të PDSH në nivel qarku”.

Propozimet e Lulzim Bashës për ndryshimin e statutit të Partisë Demokratike, priten që të diskutohen ditën e enjte në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike.