“Rrjeta” e SPAK, Vasili: Aksione të inskenuara, anashkalohen çështjet me rëndësi

Petrit Vasili, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, foli në A2 në lidhje me arrestimet e fundit nga SPAK. Ai u shpreh se aksionet e fundit janë të inskenuara, ndërsa renditi disa çështje për të cilat është bërë kallëzim dhe tha se deri tani janë anashkaluar, duke mos bërë asnjë hetim.

“E kam quajtur drejtësi me regji. Dua të pyes në mënyrë metaforike, çfarë bëhet me aferën e Teatrit Kombëtar? Dhjetëra padi janë bërë, por çështjet konkrete janë aty për një kohë shumë të gjatë. Faktet ulërijnë. Ne kemi denoncuar një aferë 450 milionë euro, siç është afera e inceneratorëve ku faktet janë skandaloze, të një mafie shtetërore. Edhe për këtë çështje nuk ka asnjë veprim nga SPAK. Një tjetër moment është denoncimi i vjedhjes së mijëra të dhënave personale, një shqetësim që ka lëvizur nga Shqipëria dhe ndodhet edhe në Europë. SPAK, në të vetmen lëvizje që bëri, mori gazetarët në prokurori sa që u detyrua Gjykata Europiane t’i thotë SPAK-ut, ndalu. Afera te ujësjellësit. Qindra milionë euro, të palikujduara pjesa dërrmuese dhe krijimi i një borxhi fiktiv. E fundit që ka lidhje me problemin më të rëndë janë krimet e tmerrshme të zgjedhjeve, në mënyrë të veçantë në Elbasan. Sot nuk ka ndodhur asgjë dhe inkriminimi politik nuk ka asnjë lëvizje. Në këtë moment kur çështjet e mëdha kanë fakte të pafundme nuk ka asnjë lëvizje nga SPAK.

Më tej, Vasili u shpreh se bllokimi i qëllimshëm nga mazhoranca i reformës në drejtësi e ka çuar vendin në këtë moment.

“Nëse Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë shumë e shpejt në ndjekjen e çështjeve, SPAK nuk mund të jetë 10 herë më poshtë, por duhet të ishte 10 herë më lartë. Ne bëmë një reformë në drejtësi, unë kam qenë anëtar. Bllokimi i qëllimshëm nga Rilindja për ta kapur reformën na ka çuar në këtë moment”.