“Tenderat, kancer për financat publike”, Stringa: Përgjegjësia është politike dhe e titullarëve

“Përgjegjësia është jashtëzakonisht politike dhe e titullarëve të administratës publike, titullarët nuk janë të pavarur por funksionarë totalisht politikë”. Këtë mendim ndau në studion e “Absolut 4”  ekonomisti dhe ish-drejtori i Buxhetit në KLSH Azmi Stringa ku folën për tenderat e dyshimtë pas skandalit të tenderit të uniformave të policisë.

Sipas tij, çështja e tenderimit në vendin tonë është një problem kronik që është kancer për financat publike dhe demokracinë, por kërkon vullnet politik.

“Është një problem kronik dhe kërkon vullnet politik dhe jam i bindur që është kancer për financat publike dhe demokracinë. Tenderat jo vetëm që dekurajojnë njerëzit dhe nuk nxisin vlerën e shtuar, por po bëjnë sekserin dhe kjo është e tmerrshme që cenon demokracinë”

Stringa thekson sene paguajmë shumëfish dhe marrim cilësi të dobët. Ai thotë se gjithçka nis me buxhetimin e financave dhe pastaj me nxjerrjen e fondit limit.

“Gjithçka fillon që në gjenezë në buxhetimin e financave dhe nxjerrjen e fondit limit. Nëse një institucion do të blejë 500 laptope, në shtet i gjen me vlerë të çmendur, ne marrim 3 oferta nga njerëz që janë në konflikt me njëri-tjetrin dhe ky proces fillon në fazën e buxhetimit dhe fondin limit dhe me konkurentët dhe duke dhënë cilësi të ulët, paguajmë shumëfish dhe marrim cilësi jashtëzakonisht të dobët”.

Sa i takon tenderave me flamur të kuq apo të dyshimtë, ai shprehet se i gjithë sistemi është ndërtuar që të shpërndajë përgjegjësinë e drejtimit. Stringa shton se  procesi i prokurimit kërkon një rishikim tërësor.

“Sistemet e kontrollit sa i përket tenderave duke përfshirë kuadrin rregullator dhe dizenjimin janë shumë të dobëta dhe formale, nuk arrijnë të përmbushim efiçencën për rritjen e fondeve pra;  cilësia me e mirë me çmim më të ulët dhe barazia në tendera dhe konkurrenca, në këto aspekte lëmë për të dëshiruar. Po krijojmë agjenci të specializuar për këtë punë, në këtë mënyrë që do të ulte abuzimin dhe do të rriste kapacitetet. Por kjo jo vetëm nuk ka shërbyer po ka hequr përqëndrimin dhe vijon me faktin e shpërndarjes së përgjegjësisë. I gjithë sistemi është ndërtuar që të shmangë përgjegjësinë e drejtimit, nëse ne nuk e çojmë te drejtimi e titullarët nuk do kemi zgjidhje. Ngelje jetim e përgjegjësisë dhe ka krijuar presion të jashtëzakonshëm te njerëz që janë të detyruar t’i marrin në dorëzim. Çështja është se ne i kemi strukturat si agjenci që kryejnë misionin e tyre. Në aspektin ligjor kanë qenë të kujdesshëm për të marrë pushtetin dhe për të vendosur, por për ta shpërndarë jo vetëm përgjegjësinë, por edhe marrëdhëniet ndërinstitucionale. Ne po nuk e çuam përgjegjësinë te titullarët e institucioneve, ne jemi shumë larg pikave të botës. Ata duhet mbajnë përgjegjësi jo vetëm për zbatimin e rregullave, por edhe  të kontrollit. Procesi i prokurimit kërkon rishikim tërësor që nga hartimi i rregullave dhe procedurave. arsyeja pse ka ndodhur kjo është se këto rregulla janë thyer”.“Tenderat, kancer për financat publike”,  Stringa: Përgjegjësia është politike dhe e titullarëve