Tenderi i uniformave të policisë, Ndreca: Nuk isha në dijeni të abuzimit, akuzat e PD pa bazë

Ish-sekretari i Ministrisë së Brendshme në periudhën e tenderit abuziv për uniformat, Plarent Ndreca, në një intervistë për Ditarin në A2 CNN deklaroi se nuk ishte në dijeni të abuzimit në periudhën që ishte funksionar në Ministri.

Sipas Ndrecës, akuzat e Partisë Demokratike ndaj tij janë vetëm politike dhe nuk kanë asnjë bazë në fakte.

“E para do ta ndajmë dyshimin nga mundësia që paska ndodhur një paligjshmëri. Dyshimi është i prokurorisë dhe ai vazhdon të hetohet si i tillë.  

Unë nuk kam pasur dijeni mbi procedurat konkrete, sepse ato ndiqen nga agjenci e krijuar me VKM të posaçme, e cila ndjek të gjitha procedurat e prokurimeve në mënyrë të përqëndruar për të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm për Ministrinë e Brendshme.

Pra, unë kam pasur dijeni proceduriale për hapat procedurialë. Sigurisht që kam pasur dijeni në kuptimin e shfrytëzimit të fondit, apo mundësisë për të ardhur uniformat në magazinat e policisë pasi ishte një mall i nevojshëm.

Në këtë kuptim kam pasur informacion çfarë po ndodh dhe a po ndodh si procedurë. Unë e kam gjetur të filluar procedurën dhe e kam lënë të pambaruar. Emri im nuk ka qenë i komplikuar në asnjë moment sepse nuk ka asnjë implikim ligjor. Kështu që në këtë kuptim emri im as nuk është kallëzuar ndonjëherë, përveç qejfeve të opozitës e cila do t’i polizitojë të gjitha proceset”, u shpreh ai.