BE flet për progres, takimi Kurti-Vuçiç për dialogun më 19 korrik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të takohen sërish në Bruksel më 19 korrik. Njoftimi ka ardhur nga Bashkimi Europian që zyrtarizon rifillimin e procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Zëdhënësi Peter Stano, nënvizoi se biseda do të fokusohet në arritjet e deritanishme si dhe në hapat e ardhshëm.

“Kemi progres për faktin që këto takime vazhdojnë. Po bëjmë përparime nga njëri takim në tjetrin. Mund të konfirmoj për përfaqësuesin e lartë se do të ketë një takim tjetër të nivelit të lartë mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, këtë muaj. Në fakt ai do të ndodhë të hënën e ardhshme, me datë 19.”

Stano foli edhe për marrëvëshje dhe zgjidhjen përfundimtare.

“Takimet janë pjesë e procesit, i cili është në vazhdim. Ky proces është i fokusuar në arritjen e marrëveshjes së përbashkët gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në çdo takim po i afrohemi kësaj dhe nuk kemi regres, gjë e cila është shumë e rëndësishme.”

Ndërmjetësimi do të bëhet nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga I emëruari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak. Ky do të jetë takimi i dytë në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç. Nga i pari, që u zhvillua në mesin e qershorit, palët dolën me qëndrime shumë të kundërta dhe kërkesa, të cilat u konsideruan të papranueshme.