A do të rikthehen kufizimet? Bino: Me konfirmimin e “Deltës” rishikohen masat anti-covid

Sapo Gjermania të konfirmojë praninë e “Deltës” në Shqipëri, Komiteti i Ekspertëve do të rishikojë masat anti-Covid.  Silva Bino nuk përjashton mundësinë e rikthimit të kufizimeve në vend pasi ky mutacion ka transmetueshmëri të lartë.

“Në qoftë se do te kemi raste me variantin “delta”  natyrisht do të kemi rishikim të masave. Por edhe nëse do të vëmë re rritje të rasteve natyrisht do të rishikojmë kufizimet siç është bërë gjatë gjithë periudhës së pandemisë”.

Edhe pse varianti “Delta” është shumë i transmetueshëm, protokollet e izolimit për personat e prekur nuk do të ndryshojnë. Megjithatë Bino kërkon nga qytetarët të raportojnë për çdo shqetësim dhe të kërkojnë testin për Covid.

“Do të ndiqet i njëjti prtokoll në lidhje me izolimin. Do të jetë strikt. Por dua të theksoj se çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm”.

Shefja për sëmundjet infektive bën thirrje për vaksinimin me të dyja dozat, ku përjashtim nuk duhet të bëjnë as personat që e kanë kaluar COVID-19.

Silva Bino këmbëngul që ky proces duhet të kryhet edhe nga adoleshentet të cilët janë transmetues të lartë të koronavirusit.

“Mendohet që imuniteti natyror nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar dhe variantet e reja. I kombinuar me vaksinimin e plotë me të dyja dozat është ai që të mbron ndaj varianteve. Është armë e rëndësishme nga Covid-19 dhe mutacioneve të reja. Transmetuesit më të mëdhenj janë adoleshentët dhe të rinjtë. Në ditët e hapura duhet të vaksinohen. Të gjitha vaksinat janë të rëndësishme”.

Ndryshe nga varianti klasik i Covid-19 apo nga ai britanik, “Delta” ka simptoma të tjera. Fillon me rrufë, dhimbje fyti, dhimbje kok  dhe me temperaturë të lartë. “Delta” konsiderohet problematik për transmetueshmërinë e lartë dhe rrezikun për rritjen e humbjeve të jetës.